Kastrioti i Ferizajt është fitues i Kupës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Skuadra me traditë ka fituar kupën për herë të shtatë dhe për herë të parë që nga viti 2019.
Në finalen shumë të fortë, të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Kastrioti e mposhti Besa Famgasin me rezultat 34:32.
Skuadra ferizajase ka qenë në epërsi që nga fillimi e deri në fund. Ndeshja nisi me seri 5:0 të ferizajasve, që më nuk u ndalën.
Besa nuk ka ndërprerë përpjekjet për t’u kthyer në lojë, sidomos në pjesën e dytë. Ia doli të barazojë në disa raste, por jo edhe të kalojë në avantazh.
Kastrioti, falë mbrojtjes së fortë dhe lojës efikase të Deniz Terziqit në sulm, e mbylli ndeshjen me festë të madhe.
Terziqi i shënoi plot 16 gola. Kapiteni Rron Ramadani i shënoi shtatë gola, pos që dha kontribut të madh në mbrojtje. Ai u shpall më i miri i ndeshjes te Kastrioti.
Beni Sula i shtoi gjashtë, ndërsa u dallua sidomos portieri Liridon Esati me shumë e shumë pritje. Esati kishte shkëlqyer edhe në gjysmëfinalen e së shtunës ndaj Trepçës dhe u shpall lojtari më i vlefshëm i turneut final të Kupës.
Te Besa Famgas më i miri ishte Igor Chiesliov me dhjetë gola. Gjashtë i kishte Arbios Mushkolaj. Besa për vitin e dytë rresht ka mbetur pa Kupë. Skuadra pejane në gjysmëfinale, të shtunën mbrëma, eliminoi Rahovecin. Dhe nuk kishte forcë për një tjetër ndeshje të madhe.
“Njëra prej ndeshjeve më të mira të mija. E kemi fituar kupën në vendin e ekipit që ka dominuar pas luftës. Kjo ka vlerë të madhe, është dëshmi që edhe në Pejë mund të fitojë Kastrioti”, ka thënë Deniz Terziqi.
Kastriotin ka dy muaj që po e udhëheq trajneri nga Maqedonia e Veriut, Vladimir Gligorov. Ai ka premtuar trofe të tjerë për Kastriotin.
“Vendimtar ishte shpirti ekipor. U kam thënë lojtarëve që të jemi ekip edhe kur rezultati është negativ edhe kur të jetë pozitiv. Ky është vetëm fillimi i sukseseve të Kastriotit. Kemi fituar trofe pas shumë vjetësh, por do të vazhdojmë”, ka thënë Gligorov.
Me organizim të mirë të lojës te Kastrioti u shqua Vlerson Zherka.
“Është shumë madhështore për klubin tonë. Kur jemi kthyer në klub, Kastrioti ishte në humnerë. Tani kemi fituar Kupën. E falënderoj bordin e klubit. Kanë bërë punë të madhe dhe tani po shpërblehet. Është trofeu kryesor në karrierën time. Ky është vetëm fillimi. Nuk do të ndalemi me kaq. Do të kthejmë edhe tifozët në palestër”, ka theksuar Zherka.
Turneu i Kupës i lë vend plejofit. Në gjysmëfinale Kastrioti takohet pikërisht me Besën, kampionen në fuqi. Në gjysmëfinalen tjetër përballë do të jenë Rahoveci e Trepça.