Sport

Kastrati mes Rijekës dhe Fehervarit

Lirim Kastrati do të largohet nga Legia e Varshavës brenda kësaj jave. Madje, largimi i sulmuesit të krahut mund të zyrtarizohet brenda 24 orëve. Kastrati që nuk bën pjesë në planet e klubit polak, ka marrë shumë oferta dhe shumë shpejt do të vendosë se ku do ta vazhdojë karrierën. Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se Kastrati mund të rikthehet në Kroaci ose të transferohet në Hungari.

Për Kastratin ka shprehur Rijeka që po synon huazimin e 23-vjeçarit me opsionin e blerjes në fund të sezonit. Ndërsa, ofertë zyrtare për Kastratin ka edhe nga klubi i elitës së futbollit të Hungarisë, MOL Fehervari.

“Lirimi do të largohet nga Legia. Mund të huazohet te Rijeka në Kroaci ose te transferohet te Fehervari”, ka thënë burimi.

Për Kastratin kishte oferta edhe më herët, por Legia kishte vendosur që ta mbajë edhe këtë edicion. Një gjë të tillë e kishte konfirmuar Kastrati javë më parë për KOHËN.

“Kam pasur disa oferta që të largohem dhe kanë qenë oferta serioze. Por, klubi nuk ka dashur që unë të largohem. Në klub duan që unë të jem pjesë e ekipit dhe ta jap më të mirën në këtë sezon. Ata më duan dhe unë vendosa të vazhdoj”, kishte thënë Kastrati.

Nëse vendos që të rikthehet në Kroaci, për Kastratin mund të jetë përparësi e madhe pasi e njeh Superligën kroate. Ka luajtur te Lokomotiva e Zagrebit dhe te Dinamo. Madje, mban edhe disa rekorde. Është futbollisti më i ri që ka shënuar hat-trick në elitën e futbollit kroat. Ai këtë edicion e ka luajtur vetëm një ndeshje te Legia. Ka hyrë si zëvendësues dhe ka qenë në fushë vetëm 13 minuta. Sezonin e shkuar, në 33 ndeshje në Poloni, kishte shënuar dy gola dhe kishte bërë tri asistime. Me klubin e madh polak ka kontratë deri në vitin 2025. Ishte transferuar në verën e vitit të kaluar nga Dinamo Zagrebi për dy milionë euro. Viti i parë te Legia, Kastrati e ka pranuar se ka qenë më i keqi në karrierën e tij.

“Sezoni i kaluar te Legia ka qenë më i keqi në karrierën time. Gjërat nuk shkuan ashtu siç ishin planifikuar. Në kampionat mbetëm prapa. Pastaj ndërrimi i trajnerëve e bëri të vetën. Trajneri i fundit që ishte, kishte një antipati ndaj meje. Ai nuk më donte dhe pastaj kishte disa ndeshje që unë nuk luaja. E kam harruar sezonin e kaluar dhe jam i fokusuar 100 për qind në edicionin e ri”, kishte thënë futbollisti nga Hogoshti.

Kastrati ka qenë pjesë e rregullt e përfaqësueses së Kosovës. Ka luajtur edhe për U19 dhe U21.