Sport

Kasami rrit “koloninë” shqiptare te Baseli

Një tjetër futbollist shqiptar është bashkuar me Baselin, klubin e njohur zviceran. Te Baseli luajnë shumë shqiptarë, ndërsa prej të hënës pjesë e kësaj skuadre është edhe Pajtim Kasami. Kasami ka karrierë të pasur dhe ka ndërruar shumë skuadra deri më tani.

Baseli ka firmosur me Kasamin të hënën, në ditën e fundit të afatit kalimtar në Zvicër. Mesfushori 28-vjeçar së fundi ka luajtur për Sionin, ndërsa me Baselin ka firmosur deri në fund të edicionit 2021/2022. Baseli e ka prezantuar Kasamin si lojtar të fortë fizikisht dhe që mund të luajë në pozita të shumta në repartin ofanziv.

“Unë gjithnjë kam pëlqyer Baselin dhe shoh shumë potencial te skuadra. Për këtë arsye kam vendosur se në Zvicër skuadër e re e imja mund të jetë vetëm Baseli. Jam i lumtur të bëj pjesën time dhe shpresoj që së shpejti të festojmë suksese të mëdha me skuadrën”, ka thënë Kasami.

Te Baseli ai gjenë Jozef Pukajn, Elis Isufin, Albian Hajdarin, Orges Bunjakun, Edon Zhegrovën, Taulant Xhakën e Tician Tushin.

Kasami për të rinjtë ka luajtur te Winterthuri, Grasshopperi, Liverpooli e Lazio. Më pas ishte te Bellinzona, Palermo, Fulhami, Luzerni, Olympiacosi, Nottingham Foresti dhe Sioni. Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës. Për Zvicrën A i ka 12 ndeshje e dy gola.