Sport

KAS-i thotë që Luboteni duhet të kthehet në Superligë, por vendimi nuk është obligues

Këshilli i Arbitrazhit Sportiv i Kosovës (KAS), i zgjedhur nga Komiteti Olimpik, e ka trajtuar rastin e parë që nga themelimi në vitin 2016.

Paneli gjykues, në krye të të cilit është Eroll Salihu, që mban edhe postin e sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe që ka edhe dy anëtarë (arbitra), Latif Demolli, i zgjedhur si arbitër përfaqësues i KV Lubotenit, dhe Luljeta Shala, e Federatës së Volejbollit, i ka dhënë të drejtë klubit të volejbollit Luboteni nga Ferizaj si paditës, karshi Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK).

KV Luboteni është përjashtuar nga Superliga e Kosovës në volejboll pas rikthimit të sportit gjatë verës, e që ishte pezulluar shkaku i pandemisë.

KAS-i nuk ka mundur të merrte vendim obligues pasi i mungojnë dy rregullore, të cilat duhet të miratohen në Asamblenë e Komitetit Olimpik të Kosovës, e pa të cilat është i përgjysmuar. Bëhet fjalë për Rregulloren e punës dhe Rregulloren mbi procedurat kontestimore për përcaktimin e listës së arbitrave.

Fillimisht, më 20 gusht, Këshilli i Arbitrazhit Sportiv dhe Komiteti Olimpik i Kosovës ishin munduar të gjenin një zgjidhje mes FVK-së dhe KV Lubotenit, ku ishte mbajtur një seancë pajtimore, por kishin dështuar dhe është dashur që çështja të zgjidhet në bazë të procedurave ligjore. Janë mbajtur edhe dy seancat dëgjimore me secilën palë ndaras. Më 15 tetor faktet i kishte paraqitur KV Luboteni, kurse pas katër ditësh edhe Federata e Volejbollit e Kosovës. Pas dëgjimit të palëve dhe mbledhjes së fakteve, KAS-i ka dalë me konkluzione, por jo me vendim obligues, ku thuhet se KV Luboteni duhet të kthehet në elitën e volejbollit kosovar.

“Në bazë të parimeve të përcaktuara nga Bordi i KOK-ut, akteve normative të FVK-së, standardeve të përgjithshme sportive, dhe vendimeve të IKSHP-së, kërkohet fuqishëm që: KV Luboteni të kthehet në elitën e volejbollit të Kosovës. Shpenzimet e paraqitjes së ankesës t’i kthehen KV Lubotenit, përpos pagesave të mëditjeve për dy arbitra (kryetari heq dorë nga mëditja)”, thuhet në pikën dy të konkluzionit.

Por në pikën një, Këshilli i Arbitrazhit Sportiv thekson se në mungesë të dy rregulloreve nuk ka mundur të marrë vendim obligues.

“Paneli gjykues nuk mund të marrë vendim meritor, ligjërisht të obligueshëm dhe të atakueshëm në CAS-Llozanë, për shkak të mungesës së Rregullores së Punës në KAS dhe Rregullores mbi procedurat kontestimore të KAS dhe të përcaktimit të listës së Arbitrave. Të dyja këto rregullore duhet medoemos të miratohen në Kuvendin e Komitetit Olimpik të Kosovës. Po ashtu duhet të përzgjidhen arbitrat juristë në mënyrën e përcaktuar me Rregullore të KAS-it”, theksohet në vendim.

Sugjerimi i fuqishëm

Në një përgjigje për KOHËN, kryetari i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv të Kosovës, Eroll Salihu, ka thënë se derisa të miratohen dy rregulloret, mund të japin vetëm sugjerime të fuqishme.

“Është më shumë sugjerim i fuqishëm, si këshillë, apo edhe si obligim moral e sportiv për Federatën e Volejbollit të Kosovës që ta zbatojë atë që vjen nga Këshilli i Arbitrazhit Sportiv, organit më të lartë për zgjidhjen e çështjeve sportive në vend. Nuk është obligues për shkak se janë dy rregullore që nuk janë miratuar ende nga Kuvendi i Komitetit Olimpik të Kosovës. Besoj që në Kuvendin e radhës do të miratohen rregulloret e më pas vendimet do të jenë obliguese”, ka thënë Salihu.

Kryetari i klubit të volejbollit, Luboteni, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se pret që Federata e Volejbollit e Kosovës ta zbatojë rekomandimin që ka ardhur nga Komisioni i Arbitrazhit të Sportit. Ai theksoi se inatet personale duhet lënë anash, në mënyrë që volejbolli të ecë përpara.

“Në si klub presim që Federata e Volejbollit e Kosovës ta pranojë vendimin e Këshillit të Arbitrazhit Sportiv të Kosovës dhe ta zbatojë atë sa më shpejt. Mendoj që si i tillë vendimi duhet të pranohet dhe të lihen anash inatet personale. Federata duhet t’i pranojë gabimet e veta dhe të mos bëjë ndonjë veprim tjetër. Nëse ka diçka, atëherë duhet të drejtohet sërish në KAS. Ne si klub jemi dëmtuar shumë, pasi deri më tani nuk jemi duke marrë pjesë as në Ligën e Parë, e as në Superligë. Dy ndeshjet e para janë shtyrë në Ligën e Parë, për shkak se ishin në pritje të vendimit nga KAS-i. Këshilli i Arbitrazhit kishte kërkuar nga FVK-ja që të shtyjë edhe kampionatin në Superligë dhe Ligën e Parë derisa të merret vendimi, por një gjë e tillë nuk është përfillur nga FVK-ja“, tha Hoxha.

Ai shton se gjendja e rënduar nga pandemia dhe pamundësia për t’u paraqitur në gara ishte arsyeja që i detyroi të largoheshin nga garat.

“Situata ka qenë e jashtëzakonshme dhe nuk kemi mundur të luanim. E kemi zhvilluar vetëm një ndeshje dhe më pas ishte e pamundur. Lojtarët që i kemi pasur nga Maqedonia nuk kanë mundur të hynin në Kosovë, kurse shumë lojtarë vendorë për shkak të gjendjes që ishte e rënduar me raste të shumta, nuk lejoheshin nga prindërit e tyre të vinin. Kemi pasur premtime se do të bëhen edhe testet për të gjithë lojtarët dhe vetëm një natë para se të nisë kampionati njoftohemi se nuk do të ketë teste. Ne e zhvilluam vetëm një ndeshje dhe e njoftuam FVK-në se nuk do të marrim më pjesë në vazhdim të kampionatit pasi në kushte të tilla është e pamundur. FVK-ja na përjashton, por në vendimin që kishte marrë Bordi më 27 maj, thuhet saktë se nëse një klub nuk mund të marrë pjesë në gara shkaku i pandemisë, nuk do të ketë asnjë masë ndëshkuese ndaj tij”, theksoi Hoxha.

Luboteni është tri herë fitues i titullit të kampionit të Kosovës, si dhe fitues i Kupës së Kosovës dhe Kupës së Federatës. Katër herë mori pjesë në garat evropiane, parakualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe në Challenge League.

Nikçi: KAS-i reagoi vonë, Bordi do të vendosë

Sekretari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikçi, ka deklaruar se sugjerimi i Këshillit ka ardhur si rezultat i faktit se ende nuk ka rregullore. Ai shtoi se përgjigjja nga KAS-i është e vonshme, pasi kampionati tashmë ka nisur.

“Sikurse edhe Këshilli, kanë konkluduar në pikën 1 që në mungesë të rregulloreve nuk mund të marrë vendime të obligueshme për palët. Për mua personalisht një kërkesë e tillë është tepër e vonshme. Megjithatë përgjigjen përfundimtare do ta japë Bordi i FVK-së”, tha Nikçi, i cili nënvizoi se këshilli nuk i ka marrë për bazë faktet e ofruara nga FVK-ja. Ai u shpreh se Luboteni e kishte kërcënuar Federatën me bojkot ende pa vazhduar kampionati.

“Ne e kemi marrë letrën e Këshillit dhe normal që për mendimin tim personal ai nuk i ka marrë për bazë faktet që ne i kemi ofruar për të dëshmuar se KV Luboteni është tërhequr nga garat me qëllim të bojkotimit te tyre dhe jo për shkak të pandemisë. Thjesht ata e kanë përdorur pandeminë si alibi vetëm që t’i shpëtojnë dënimit me të lehtë nga ana e FVK-së. Për këtë kemi ofruar edhe fakte, ku kryetari i KV Luboteni, Gazmend Hoxha, në njëfarë mënyre e “kërcënon” FVK-në se nëse nuk ndërrohet mënyra qysh Bordi i FVK-së ka vendosur për vazhdimin e garave, Luboteni do t’i bojkotojë ato”, tha Nikçi.

Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë që lejonte aktivitetet sportive, Federata e Volejbollit e Kosovës vendosi që ta vazhdonte kampionatin dhe ta mbyllte sezonin në fushë. Në bazë të një vendimi të Bordit të FVK-së, klubet të cilat nuk mund të marrin pjesë në gara shkaku i pandemisë nuk do të ndëshkoheshin me masa disiplinore e as me pasoja tjera juridike e administrative. Luboteni kishte vendosur të merrte pjesë, por e zhvilloi vetëm një ndeshje dhe më pas kishte njoftuar largimin nga garat në pamundësi që t’i luajë ndeshjet, shkaku i problemeve me lojtarë për shkak të koronavirusit.

KAS-i kishte gjetur disa parregullsi në vendimet që kishte marrë Komisari i Garave i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Komisioni Disiplinor e po ashtu edhe Bordi i FVK-së.

Komisari i Garave e kishte gjobitur dy herë Lubotenin me të holla për mosparaqitje në gara dhe të dyja ndeshjet i kishte regjistruar me rezultat 3:0 në disfavor të ekipit nga Ferizaj. Më pas kishte vendosur që ta largonte nga Superliga. Vendimin e Komisarit të Garave e kishte vërtetuar edhe Komisioni Disiplinor. Të dyja këto organe të FVK-së, sipas Këshillit të Arbitrazhit Sportiv, nuk kanë pasur të drejtë të marrin vendime të tilla. Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe Bordi i Federatës së Volejbollit të Kosovës, duke mos e përfillur fare vendimin e vet të marrë më herët, ku kishte vendosur të mos ketë sanksione në rast se një klub largohet nga garat. Të gjitha vendimet kanë ardhur pa e marrë asnjë deklaratë nga klubi i Lubotenit, gjë që KAS-i i ka cilësuar si të pabazuara. Sipas asaj që ceket nga KAS-i, FVK-ja është dashur ta kishte edhe shkallën e dytë, e njohur si shkalla e ankesave.

Edicioni i ri në Superligë ka nisur pa njërën prej skuadrave më të mira në vend.