Sport

Karriera e Akilit në sytë e motrës së tij

Akil Gjakova është bindshëm xhudisti më i mirë në vend e po ashtu prej sportistëve më të mirë të vendit.

Por Akili nuk është sportisti më i suksesshëm në familjen Gjakova. Deri më tani më shumë suksese se ai ka Nora Gjakova, motra e madhe e top-xhudistit. Së fundi karrierë në xhudo ka nisur edhe motra e vogël e tyre, por që momentalisht është larg niveleve që i kanë prekur Nora e Akili. Të dy llogariten pretendentë për të fituar medalje olimpike për Kosovën.

Nora dhe Akil Gjakova kanë nisur karrierën së bashku por me gara ndërkombëtare fillimisht ka nisur Nora, kampionia evropiane.

Ajo ka shijuar kohën duke parë vëllain t’i shndërrohet në xhudist elitare. Tani kënaqet duke parë luftërat e tij plot aksion e hedhje spektakolare.

Ndonjëherë Nora e Akili provojnë edhe të bëjnë sparing, por kjo nuk shkon më së miri.

“Ndonjëherë bëjë sparing (randori) me vëllain, por zakonisht përfundojmë duke debatuar apo duke qeshur pa ndonjë arsye. Kështu që nuk është shumë produktive. Por unë e ndihmojë atë që të ngrohet para garave”, ka treguar Nora Gjakova.

Ajo ka treguar se ka raporte të afërta me Akilin.

“Kur ai ka qenë më i ri, ka bërë gjërat që bëja unë. Për shembull, nëse nuk më pëlqente një lloj i ushqimit, as ai nuk e ka dashur atë lloj ushqimi. Ne kemi nisur xhudon në kohë të njëjtë, por pasi isha më e madhe kam nisur me gara më herët. Kam parë atë duke u rritur si xhudist dhe mezi kam pritur që ai të filloj me gara. Është kënaqësi e veçantë kur të dy fitojmë medalje në garën e njëjtë”, ka thënë Nora Gjakova për JudoCrazy.

Image
Image