Sport

Karateja “fiton” edhe një kryetar, por rrezikon të humbë shumë

Federata e Karatesë e Kosovës (FKK) është bërë edhe me një kryetar të martën. Në Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor të FKK-së, të mbajtur në Prishtinë, prezent ishin 31 delegatë prej 58 sa numëron kuvendi i kësaj federate. Delegatët e pranishëm kanë votuar që Besart Baruti të zgjidhet kryetar i Federatës. Delegatët e pranishëm kanë zgjedhur edhe dy nënkryetarë dhe nëntë anëtarë të bordit.

Por Baruti prezanton vetëm njërin krah të komunitetit të karatesë, të ndarë në dysh së fundi.

Avni Gashi vlerëson se është ende kryetar legjitim i FKK-së. Dhe Kuvendin e së martës Avni Gashi e vlerëson të jashtëligjshëm. Njëri krah e vlerëson Avni Gashin ende kryetar të FKK-së. Ai madje mbajti mbledhje të Bordit ditë më parë.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor, i mbajtur të martën, ishte thirrur nga sekretari i përgjithshëm i FKK-së, Nazmi Gashi.

Nazmi Gashi pati njoftuar për dorëheqjen e dhjetë anëtarëve të Bordit të FKK-së. Dhjetë anëtarë janë shumica e anëtarëve të bordit dhe në një situatë të tillë, sipas Statutit, thirret kuvendi zgjedhor. Por Avni Gashi thotë se dorëheqje nuk kanë dhënë dhjetë anëtarë dhe se Bordi është ende funksional. Dhe pasi Bordi është funksional, zgjedhjet e reja nuk janë të nevojshme, thotë Avni Gashi.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor megjithatë u thirr. Ai është monitoruar nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.

KOHA ka mësuar se ka pasur shkelje serioze të procedurave për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sipas burimeve, Baruti është zgjedhur kryetar pa bazë deleguese. Kjo pasi ai është propozuar nga klubi Mitrovica, që nuk ka marrë licencë nga MKRS-ja. Një qëndrim të tillë e kanë shprehur gjatë punimeve të kuvendit edhe përfaqësuesit e MKRS-së.

KOHA mëson se FKK-ja rrezikon të humbë licencën nga MKRS-ja për shkak të shkeljeve para dhe gjatë procesit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor.

MKRS-ja e njeh ende si kryetar Avni Gashin, ndonëse kishte përfaqësuesit në Kuvend.

“Ky kuvend është antistatutar dhe i jashtëligjshëm, sepse i tillë edhe është thirrur. Kuvendi i ashtuquajtur i Jashtëzakonshëm është i jashtëligjshëm. Prej 58 delegatëve që i kanë thirrur, 11 nuk kanë pasur të drejtë vote, sepse nuk kanë paguar kuotizimin dhe nuk kanë marrë pjesë në garat zyrtare të Federatës së Karatesë së Kosovës”, ka thënë Avni Gashi për KOHËN.

Krahas Barutit nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor kanë dalë edhe nënkryetarët Gazmend Havolli dhe Ismail Fazliu, ndërsa janë zgjedhur edhe nëntë anëtarët e Bordit: Bashkim Ibrahimi, Eranda Krasniqi, Drita Rafuna Shaqiri, Isak Pllana, Arsim Ibrahimi, Gresa Zhitia, Baki Desku, Diellza Dragusha dhe Muhamet Kolgeci.

Sekretari Nazmi Gashi thotë se procesi zgjedhor ka shkuar në mënyrë të rregullt.

“Shumë mirë! Pjesëmarrës kanë qenë 31 delegatë nga 31 klube të FKK-së”, ka thënë Nazmi Gashi për KOHËN.

Ka kohë që ka përplasje të brendshme e goxha të fuqishme brenda komunitetit të karatesë. Dhe ato vlerësohet se e frenojnë zhvillimin e karatesë. Pos në karate, ndarje të madhe aktualisht ka edhe në not. Shpesh ndarje ka edhe në taekwondo e në disa sporte të tjera.

Ka dyshime që pjesë e “pazareve” në federata janë edhe pozita më të larta. Madje edhe në Komitetin Olimpik.