Sport

Karateistja që mundësoi skenën e bukur nga Podgorica

Flamuri i Kosovës u ngrit lart, më lart se ai i Serbisë, falë suksesit të karateistes Alma Loki në Kampionatin Ballkanik që përfundoi të dielën në Podgoricë të Malit të Zi.

19-vjeçarja fitoi medaljen e artë në kata në Ballkanikun për seniorë, pasi në finale u vlerësua me më shumë pikë se karateistja e Serbisë, Neda Milosheviq.

Alma Loki dhe Milosheviqi ndanë edhe podiumin gjatë pranimit të medaljeve. Natyrisht garuesja kosovare ishte një shkallë më lart se serbja Milosheviq.

Loki thotë se triumfi ndaj serbes e bën edhe më të veçantë medaljen e fituar në Mal të Zi. Në finale ajo u vlerësua me 24.20 pikë nga gjyqtarët, derisa serbja pati 23.90 pikë.

“Para finales, në ndeshjen e tretë, e kam pasur sfidën edhe ndaj një serbe tjetër, të cilën e fitova. Por në finale motivi ka qenë 100 për qind, ndoshta për shkakun që kundërshtarja ka qenë serbe dhe kam thënë se nëse nuk e fitoj këtë, nuk do t'i them vetes Almë. Kam hyrë me besim dhe motiv të madh. Jam ndjerë krenare me veten. Kam pasur përkrahje të madhe. Nuk e kam pritur se do ta kem gjithë këtë përkrahje. E kam pritur shumë mirë përkrahjen e tyre”, ka thënë Alma Loki për KOHËN të dielën.

Ajo kaloi disa garuese deri në finale. Në rundin e parë e eliminoi garuesen e Greqisë, pastaj në raundin e dytë një garuese të Turqisë. Në raundin e tretë për kundërshtare e kishte serben Mina Mesiq, të cilën e kaloi me vlerësim prej 23.80 pikësh. Serbja Mesiq pati 22.90 pikë dhe kështu Loki vazhdoi tutje për ta eliminuar edhe garuesen e Bosnjë-Hercegovinës në rundin e katërt dhe më pas duke e fituar finalen.

Për Kosovën është medalja e parë ballkanike e fituar në kata, që është “luftë me kundërshtar të imagjinuar”, përkatësisht demonstrim i teknikave të karatesë.

“Nuk kemi pasur ndonjë problem. Edhe trajneri i saj më ka uruar. Ne jemi sportistë dhe nuk duhet të jetë urrejtja në sport. Jam ndier mirë shumë mirë që e kam fituar dhe i kam bërë të gjithë shqiptarët krenarë”, është shprehur Loki.

Secili garues zgjedhë katën e vet dhe në fund vlerësohet me pikë nga gjyqtarët. Maksimumi që një garues mund të fitoj janë 30 pikë. Secili garues del i vetëm para gjyqtarëve dhe më pas gjyqtarët vlerësojnë nga një deri në dhjetë pikë. Ai që ka më shumë pikë fiton.

“Ka qenë ndjenjë fantastike duke u nisur nga niveli i garës që ishte Ballkaniku për senior e unë sapo i kam mbushur 19 vjet. Pra ende jam garuese e kategorisë U21, ndërsa jam shpallur kampione e Ballkanit për seniorë. Ndihem shumë mirë. Kjo medalje do të jetë një shtysë për të arritur deri te medaljet evropiane e botërore dhe rezultate tjera kulmore”, është shprehur Loki.

Ajo është garuese nga Ferizaj, ndërsa merr pjesë rregullisht për Kosovën në ngjarje të mëdha. Ajo shpreson të fitoj medalje edhe në Evropianin që mbahet në Zarë të Kroacisë nga 8 deri më 12 maj.

“Në maj e kemi Evropianin e seniorëve në Kroaci. Do të punoj fort, nuk do të ndalem për të triumfuar. Shpresoj pse jo edhe medalje”, ka deklaruar Loki.

Medalje për Kosovën në Ballkanik fitoi edhe Vlera Qerimi. Ajo në kategorinë deri 68 kilogramë në luftëra fitoi medalje të bronztë.

Me një fitore, Kosova e fitoi medaljen e bronztë në garat ekipore te karateistet. Kosova humbi nga Kroacia, ndërsa fitoi ndaj Malit të Zi.

Pati edhe dy vende të pesta e dy vende të shtata për karateistët kosovarë. Në plasmanin e përgjithshëm, Kosova u rendit e pesta nga 12 vende pjesëmarrëse.