Sport

Kapiteni Rrahmani: Që të rritet Kosova duhet që ne lojtarët të rritemi në skuadrat tona

Kapiteni Amir Rrahmani ka vlerësuar paraqitjet e Kosovës gjatë muajit shtator. Si shumica e njohësve të futbollit dhe anëtarët e Përfaqësueses, Rrahmani vlerëson se Kosova ka shfaqur shenja të kthimit në rrugën e duhur.

Kosova më 2 shtator fitoi 1:0 ndaj Gjeorgjisë në udhëtim. Më pas barazoi 1:1 me Greqinë dhe në fund u mposht 2:0 nga Spanja. Me gjithë humbjen, paraqitja më e mirë është vlerësuar ajo ndaj Spanjës. Lojtarët ishin larguar në disponim të mirë nga Kosova, pas fjalëve të mira për paraqitjen pozitive ndaj spanjollëve.

Por kthimi në skuadrat e tyre nuk ishte i lehtë për lojtarët kosovarë. Ashtu si para ndeshjeve të Kosovës, shumica prej tyre edhe këtë fundjavë ishin rezervistë në skuadrat e tyre.

Rrahmani është njëri prej lojtarëve të Kosovës që po lufton për minuta. Dhe ai është i vetëdijshëm se për rritje të mëtejme të Përfaqësueses është e domosdoshme që fillimisht lojtarët reprezentues të rriten në skuadrat e tyre. Kjo jo gjithnjë është e lehtë. Aktualisht gjendja e lojtarëve të Kosovës nuk është më e mira.

Kosova dy ndeshjet e ardhshme i luan në tetor. Më 9 tetor është ndeshja me Suedinë në Solnda, ndërsa më 12 tetor në Prishtinë, Kosova përballet me Gjeorgjinë. Cikli eliminator për Botërorin 2022 mbyllet më 14 nëntor në Athinë, kur është ndeshja e “dardanëve” me Greqinë.

Kosova është thuajse pa gjasa për kualifikim në Botëror, por ndeshjet e këtij cikli pritet të shërbejnë shumë për të ardhmen.

“Kemi mundur të kemi rezultate edhe më të mira në këto ndeshje. Por e kemi parë si shkoi takimi me Spanjën, ku kemi mundur të marrim së paku një pikë nga ky duel”, ka thënë Amir Rrahmani të dielën për KOHËN.

Mbrojtja, që komandohet nga Rrahmani, ka shfaqur stabilitet. Por, sipas tij, në lojën e Kosovës po ndikojnë edhe mungesat që detyrojnë zëvendësime të shumta.

“Në këto ndeshje kemi treguar pjekuri të madhe dhe kemi dëshmuar që jemi duke u rritur edhe më shumë. Rritja po bëhet gjatë gjithë kohës. Të mos harrojmë që kemi mungesa të shumta dhe të gjitha ndeshjet jemi duke i luajtur me lojtarë të ndryshëm. Deri më tani asnjëherë nuk kemi arritur t’i luajmë dy ndeshje radhazi me lojtarë të njëjtë, për shkak të lëndimeve me të cilat jemi ballafaquar. Por, përkundër kësaj, prapëseprapë jam shumë i kënaqur me lojën dhe përkushtimin që e kanë bërë lojtarët në këto ndeshje. Natyrisht është një sinjal i mirë. Na jep edhe më shumë motivim dhe besoj që kemi gjetur pak a shumë atë përgjegjësinë që për çdo ndeshje të japim maksimumin dhe të mundohemi që të marrim pikë në secilën ndeshje”, ka theksuar mbrojtësi i qendrës.

Rrahmani ka qëndruar në stol në tri ndeshjet e para të Napolit në Serie A. Napoli i ka fituar tri ndeshjet e para dhe për mbrojtës rezervist është më e vështirë të sigurohet vendi kur ekipi ka ecuri pozitive. Por edhe shumë lojtarë të tjerë të Kosovës ishin rezervistë në fundjavë.

Shpresat janë që deri në tetor situata e lojtarëve të Kosovës të përmirësohet.

“Duhet të përkushtohemi maksimalisht dhe të shpresojmë që secili nga ne të arrijë të luajë sa më shumë në ekipet e veta. Duhet që fillimisht të rritemi si lojtarë në ekipet tona dhe më pas bashkërisht ta përcjellim këtë te Kombëtarja e Kosovës, për t’u rritur edhe më shumë”, ka theksuar Rrahmani.

Ndonëse me Spanjën u paraqit mirë, Kosova mbeti pa pikë.

“Në disa ndeshje nuk ka nevojë të bëjmë ndeshje të mirë. Rezultati duhet të jetë në plan të parë”, thekson kapiteni Rrahmani.