Sport

Kapiteni Rrahmani për KOHËN: Të përmirësohemi që nga ndeshja me Gjeorgjinë

Te Kosova nuk kanë dëshirë të flasin shumë për ndeshjen ndaj Suedisë. Të shtunën mbrëma Suedia e mposhti Kosovën me shifrat 3:0 në ndeshjen e luajtur në Stokholm. Ka pasur shumë lëshime në ndeshjen e Kosovës dhe “Dardanët” më me dëshirë merren me ndeshjen e ardhshme, atë ndaj Gjeorgjisë.

Ndeshja Kosova – Gjeorgjia luhet të martën nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”. Për Kosovën është ndeshja e parafundit në kualifikimet për Botërorin 2022. Më 14 tetor, Kosova luan në Athinë ndaj Greqisë.

Kosova tashmë është pa gjasa, ndërsa synimi për dy ndeshjet e fundit është “përmirësimi”. Kështu të paktën thotë kapiteni Amir Rrahmani. Mbrojtësi i qendrës ka thënë të dielën për KOHËN se ndeshja me Gjeorgjinë nuk është e lehtë.

“Tani kemi ndeshjen me Gjeorgjinë. Është ndeshje jo e lehtë. Çdo ndeshje në këtë nivel është e vështirë. Duhet të provojmë të luajmë lojën tonë dhe të përmirësohemi edhe më shumë. Duhet të tregojmë pjekuri pas çdo ndeshjeje, si ekip dhe individualisht si lojtarë. Duhet të rritemi pasi vetëm kështu mund të vazhdojmë përpara”, ka thënë Rrahmani.

Kosova është e parafundit në grup me katër pikë nga gjashtë ndeshje. Ka një fitore me Gjeorgjinë dhe një barazim me Greqinë.

“Ndeshjet që i kemi luajtur na shërbejnë për t’u përmirësuar si ekip dhe për të vazhduar të tregojmë ndeshje më të mira. Vetëm me ndeshje dhe me eksperiencë mund të arrish rezultatet në të ardhmen. Besoj që sa më shumë kohë të luajmë së bashku, do të rritemi edhe më shumë si ekip. Shpresoj që një ditë të arrijmë gjëra të mëdha”.

Aktualisht gjërat e mëdha duken të largëta për Kosovën. Përfaqësuesja po përmbyll ciklin e tretë me rezultate larg prej atyre që i synojnë tifozët. Për këtë cikël është shpresuar ngritja më e madhe. Por lojtarët po kanë telashe të mëdha në skuadrat e tyre dhe kjo po reflekton edhe në paraqitje me Përfaqësuese. Shumë prej tyre janë jashtë ritmit të ndeshjeve në nivel klubesh.

Ka shpresë se ndaj Gjeorgjisë në “Fadil Vokrrin” me tifozë do të ketë shenja të përmirësimit.

“Besoj që me tifozë i gjithë ekipi do të ndihet më mirë. Nuk ka rëndësi se a luajmë vendas apo mysafirë, pasi gjithmonë kemi përkrahjen e shikuesve. Është një motivim i madh për lojtarët që të japin maksimumin, sidomos në ndeshjet të cilat i luajmë në shtëpi”, ka theksuar Amir Rrahmani.

Kosova kishte përkrahje edhe në Suedi. Por ajo ndikoi pak në shfaqjen në fushë. Suedezët ishin superiorë dhe arritën te fitorja bindëse.

Image

Rrahmani është prej pak lojtarëve të Kosovës që po luan në nivel të lartë. Ai ka fituar vendin e startuesit te Napoli që po udhëheq në Serie A.

“Me skuadër është duke shkuar shumë mirë. Edicioni ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi luajtur shtatë ndeshje dhe kemi arritur shtatë fitore në Serie A. Natyrisht që nuk është gjë e vogël të jeni në pozitën e parë në Serie A me Napolin”, thotë futbollisti prishtinas.

Ai ka konkurrencë të fortë për pozitën e mbrojtësit të qendrës. Por tashmë duket se e ka fituar “betejën” me grekun Kostas Manolas.

“Në futboll asnjëherë nuk dihet se çka sjell e ardhmja. Varet se si luan në ndeshjen e ardhshme. Gjithmonë është e rëndësishme se si luan në ndeshjen që ke përpara. Nuk mund të paramendosh se çka do të ndodhë, por shpresoj që të shkojë gjithçka mirë dhe ndeshje pas ndeshjeje të tregojmë kualitet. Shpresoj të vazhdoj me paraqitje të mira”, thekson Amir Rrahmani.