Sport

Kapiteni Rrahmani: E pranojmë pikën, tani duam fitore në “Fadil Vokrri”

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, thotë se kanë bërë ndeshje të mirë përballë futbollistëve të Izraelit, në Tel-Aviv të shtunën. Rrahmani të dielën për KOHËN ka theksuar se Kosova duhet të pajtohet me barazimin 1:1 ndaj izraelitëve, në ndeshjen e parë të ciklit kualifikues për “Euro 2024”. Kjo ndeshje i takoi Grupit I, ku bëjnë pjesë edhe Zvicra, Bjellorusia, Rumania dhe Andorra.

Ndaj Andorrës, “Dardanët” do të luajnë të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Mbrojtësi i Napolit thotë se Kosova do të jetë e motivuar për ta fituar takimin kundër Anodrrës.

“Besoj që kemi bërë një ndeshje të mirë dhe duhet të pajtohemi me një pikë të marrë nga ky udhëtim i vështirë. Ndeshja ndaj Izraelit ishte e vështirë. Gjithë skuadra jemi angazhuar maksimalisht, por mund të them që ishte një ndeshje vështirë për t’u luajtur”, ka thënë Rrahmani për KOHËN.

Përkrah Rrahmanit në ndeshjen ndaj Izraelit në qendër të mbrojtjes luajti Mirlind Kryeziu. Dyshja u vlerësua për paraqitjen në Tel Aviv. Rrahmani pritet të luaj me Kryeziun përkrah edhe në ndeshjen ndaj Andorrës.

Rrahmani 29-vjeçar është një prej lojtarëve me më së shumti kontribut te Kosova. Ai ka shënuar gjashtë gola dhe ka kontribuar me një asistim në 48 paraqitje.

Ai po i afrohet ndeshjes se 50-të, jubilare me përfaqësuesen.

“Ndeshjen ndaj Andorrës e luajmë në shtëpi dhe para tifozëve tanë. Është një kundërshtare që ka dallim nga Izraeli. Por, kemi disa ditë për t’u përgatitur. Do ta japim maksimumin në stërvitje për t’u përgatitur sa më mirë, pasi synojmë që t’i marrim pikët maksimale”, është shprehur Rrahmani.

Megjithatë, Rrahmani insiston në kujdes. Thotë se edhe dueli kundër Andorrës nuk do të jetë i lehtë.

“Në ndeshje kualifikuese të gjitha përfaqësueset synojnë të marrin maksimumin dhe asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Duhet të jemi maksimalisht të motivuar që nga minuta e parë për ta fituar ndeshjen para shikuesve tanë”.

Zvicra e Rumania i kanë fituar ndeshjet e tyre të para në grup. Zvicra mposhti thellë Bjellorusinë, 5:0, ndërsa Rumania e fitoi duelin në udhëtim ndaj Andorrës me shifrat 2:0.

Më 16 qershor, Kosova e pret Rumaninë, kurse më 19 qershor luan në udhëtim ndaj Bjellorusisë. Më 9 shtator, Kosova e pret Zvicrën e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit. Ciklin kualifikuese e mbyll me ndeshjen kundër Bjellorusisë më 21 nëntor. Kosova synon kualifikimin, ndërsa stabiliteti në mbrojtjen e udhëhequr nga Rrahmani rrit shpresat për sukses.