Sport

Kapiteni Kuç: Do ta japim atomin e fundit për ta dërguar Ballkanin tutje

Skuadra e Ballkani të hënën në mesditë ka mbërritur në Lituani, ku do ta luajë ndeshjen e kthimit ndaj Zhalgirisit. Ndërkohë në mbrëmjen e së hënës, lojtarët e ekipit nga Suhareka e kanë kryer stërvitjen e fundit në Vilnius.

Dueli i parë i raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, i zhvilluar në Prishtinë, u mbyll 1:1 dhe gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit e cila zhvillohet të martën prej orës 18:00.

Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, thotë se atmosfera është shumë e mirë në skuadër. Ndeshjes ndaj Zhalgirisit thotë se do t’i qasen me seriozitet të madh dhe pa presion.

“Atmosfera te Ballkani është gjithmonë e mirë, nuk kemi presion. Falë Zotit të gjithë lojtarët janë shëndoshë dhe të gatshëm për ta prezantuar Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe për të shkruar historinë”, deklaroi Kuç.

Sipas tij, Ballkani është i gatshëm për kundërshtarin, të cilin e kanë analizuar. Kuç tregon hapur se ekipi nga Suhareka do të kërkojë vetëm kalimin në raundin e dytë kualifikues.

“Sigurisht që besoj se mund të kalojmë tutje, e treguam që në ndeshjen e parë. Ishim të pafat në Prishtinë. Shpresoj që fati të na shoqërojë nesër dhe t’ia dalim. Jemi gati për ndeshjen kundër Zhalgirisit, e kemi analizuar ndeshjen e fundit, e dimë se ku kemi gabuar dhe çfarë duhet të korrigjojmë”, theksoi ai.

Kuç premton atomin e fundit në ndeshje ndaj kampionit të Lituanisë. Ai e pranon se dueli nuk do të jetë i lehtë sidomos për faktin që luajnë mysafirë.

“Sigurisht që do të jetë më e vështirë se në ndeshjen e parë. Ata janë një ekip i vërtetë vendës, dhe një ekip që ka shumë përvojë, kështu që me siguri do të kemi një lojë të vështirë. Por nuk kam dyshime për shokët e mi, unë e di se ne do të japim atomin e fundit të forcës për të avancuar në rrethin e dytë”, u shpreh mesfushori.

Në ndeshjen e parë të luajtur në “Fadil Vokrri”, Ballkani ishte skuadër dominuese duke krijuar shumë raste shënimi. Provoi të realizonte plot 15 herë, ku pesë gjuajtje shkuan brenda kornizës, megjithatë, topi kaloi vijën e portës vetëm një herë.

Ishte Nazmi Gripshi që realizoi për suharekasit. Ndërkohë mysafirët nga Lituania tentuan katër herë dhe vetëm një herë gjuajtën brenda kornizës, goditje që përfundoi me gol të shënuar.

Ndeshja e së martës do të luhet në “LFF Stadiumin” në Vilnius të Lituanisë. Është stadium ku i luan ndeshjet edhe Përfaqësuesja e Lituanisë.

Fusha është me bari sintetik dhe u përshtatet lojtarëve të Ballkanit që po ashtu kanë luajtur në fushë me bari sintetik në Suharekë. Kapaciteti i stadiumit është 5000 ulëse.

Nëse Ballkani kualifikohet në raundin e dytë, atëherë mund të përballet me Malmon nga Suedia.

Ballkani po merr pjesë në garat e Ligës së Kampionëve për herë të parë. Suharekasit po e përfaqësojnë futbollin e Kosovës si kampion.