Sport

Kapiteni Kryeziu paralajmëron Malishevë stabile në Superligë

Dren Kryeziu do të bartë shiritin e kapitenit te Malisheva edhe në edicionin 2022/2023. Për Kryeziun do të jetë viti i tretë që u prin malishevasve në fushë, një edicion në Ligën e Parë dhe për edicionin e dytë në Superligë.

Qendërmbrojtësi nga Malisheva thotë se skuadra është e gatshme për të startuar me rezultate pozitive në Superligë, në edicionin që nis në fundjavë. Malisheva nuk do të luajë në fundjavë. Ndeshja kundër Ballkanit, që ishte paraparë të luhej të dielën, është shtyrë me kërkesë të klubit suharekas.

“Malisheva është e gatshme për kampionati e ri. Kemi kryer fazën përgatitore dhe gjithçka ka shkuar siç është planifikuar. Ndeshja e parë ndaj Ballkanit është shtyrë për shkak se suharekasit luajnë në gara evropiane. Ne do ta shfrytëzojmë këtë kohë dhe të punojmë për duelin e radhës”, tha Kryeziu.

26-vjeçari mendon se Malisheva tashmë nuk mund të quhet ekip pa përvojë në Superligë. Kryeziu thekson se Malisheva është pjekur si skuadër dhe ka synimet të qarta.

“Ky do të jetë viti i dytë i Malishevës në Superligë. Në vitin e parë nuk e kishim përvojën e duhur, kurse tani jemi më të përgatitur për gjithçka. Mendoj që këtë edicion do të jemi më të pjekur dhe kuptohet që synojmë mesin e tabelës në pjesën e parë të kampionatit. Nëse gjërat shkojnë mirë, pse të mos synojmë edhe më shumë”, deklaroi Kryeziu.

Malisheva është përforcuar gjatë afatit kalimtar me disa lojtarë me përvojë. Po ashtu, ka pasur edhe largime.

Sipas Kryeziut, ardhjet e reja janë cilësore.

“Ardhjet që kanë ndodhur gjatë kësaj vere në skuadër janë më se të qëlluara. Janë lojtarë që kanë përvojën e duhur për të arritur objektivat e klubit”.

Kryeziu pohoi se ka pasur oferta që të largohet nga Malisheva, por ka vendosur që të paktën edhe në edicionin 2022/2023 të veshë fanellën e ekipit të qytetit të lindjes.

“Kam pasur oferta nga klube të ndryshme gjatë këtij afati kalimtar, por kam vendosur t’i mbetem besnik Malishevës edhe për kampionatin që po vjen”, theksoi Kryeziu.

Dren Kryeziu është rritur si lojtar te Kosova e Prishtinës. Disa vjet ka luajtur edhe te Fushë-Kosova. Nga viti 2019 është pjesë e Malishevës.

Malisheva e siguroi mbijetesën në Superligë përmes ndeshjes së barazhit. Kishte mposhtur Vushtrrinë.