Sport

Kapiteni Idrizi thotë se përkrahja e madhe po e motivon Llapin

Klubi i Llapit është mobilizuar që ta mbushë stadiumin “Fadil Vokrri” në ndeshjen e kthimit kundër Buduqnostit. Dueli kualifikues i Ligës së Konferencës do të zhvillohet të enjten.

Llapit i duhet rikthim i madh për të kaluar tutje, pasi ndeshjen e parë e ka humbur 2:0 në Podgoricë. Ka luajtur për më shumë se një orë me një lojtar më pak, pas përjashtimit të Bianor Netos me karton të kuq në minutën e 30-të.

Çmimet e biletave tashmë janë bërë të ditura dhe ato kanë filluar të paguhen nga biznese të vogla e të mëdha dhe nga persona të afërt me klubin, ish-futbollistë e futbollistë aktivë. Ndër të tjera edhe nga mesfushori aktual, Gerhard Progni.

Në triunën lindore bileta është 2 euro, në veri 1 euro, në perëndim 3 euro, kurse bileta në tribunën VIP kushton 5 euro.

Në bazë të publikimeve në faqen zyrtare të Llapit, rreth 3500 bileta janë të paguara deri me tani nga bizneset.

Përkrahje të mëdha tifozëve “Legjendat” të Llapit u kanë dhënë grupe të ndryshme të tifozëve në Kosovë. Në Podgoricë tifozët e Buduqnostit kishin fyer shqiptarët dhe kjo ka sjellë mobilizimin e plotë për ndeshjen e kthimit.

Mobilizimi i klubit dhe përkrahja e madhe nga tifozët po e mahnitin kapitenin e Llapit, Bujar Idrizi.

Sipas tij, ekipi po përgatitet maksimalisht për t’i gëzuar tifozët. Ai falënderon të gjithë që po e përkrahin Llapin.

“Përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë. Jemi duke u përgatitur maksimalisht për ndeshjen e kthimit. Së pari i falënderoj tifozët ‘Legjendat’ për mobilizimin dhe përkrahjen maksimale, falënderoj çdo tifo-grup nga Kosova që ka shprehur interesim të vijë dhe të na ndihmojë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’”, u shpreh Idrizi.

Idrizi thekson se janë të vetëdijshëm për rezultatin e ndeshjes së parë, por premton se do ta japin atomin e fundit.

“Duke e ditur që e kemi lojën kthyese, tifozët që pritet të jetë në numër shumë të madh na japin motiv. Jemi të vetëdijshëm që rezultati nuk është i favorshëm nga ndeshja e parë, por premtoj që do ta japim atomin e fundit për këtë ndeshje”, u shpreh kapiteni i Llapit.

Në ndeshjen e parë lojtarët e Llapit u fyen në mënyra të ndryshme nga tifozët e Buduqnostit. Pati edhe hedhje të gjësendeve.

Për Idrizin, fyerjet në ndeshjen e parë nga tifozët e Buduqnostit janë motiv shtesë për të arritur fitore dhe kualifikim tutje.

Ai shtoi se të gjithë lojtarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes. Duelin me Buduqnostin e sheh si të vitit për Llapin.

“Fyerjet që na janë bërë në ndeshjen e luajtur në Podgoricë na motivojnë edhe më shumë që të japim gjithçka nga vetja për të arritur fitore dhe kalimin në raundin e dytë. Të gjithë lojtarët janë të vetëdijshëm që na pret një lojë e zjarrtë dhe janë të motivuar dhe të etur për suksese. Këtë ndeshje e shoh si më të rëndësishmen e këtij viti”, përfundoi Idrizi.

Llapi po merr pjesë për herë të dytë në Ligën e Konferencës, si fitues i Kupës së Kosovës. Herën e parë u ndal në rrethin e parë kualifikues nga Shkupi.