Skuadra e futbollit, Gjilani, nuk i luajti katër ndeshjet e fundit të edicionit 2021/2022 në stadiumin e qytetit. Për tri ndeshje i ishte suspenduar fusha shkaku i incidentit ndaj Ballkanit në muajin prill, ndërsa Gjilani vendosi të mos e zhvillojë në stadium as ndeshjen e fundit si vendas kundër Malishevës.
Gjilani do ta braktisë stadiumin e qytetit edhe për edicionin e ri. Te Gjilani vlerësojnë se stadiumi nuk i plotëson kriteret për t’u luajtur ndeshje kampionale, ndërsa kanë vendosur që si vendas të luajnë në fushën me bari sintetik.
Fusha me bari sintetik në Gjilan është e pranueshme për Superligë, sipas vlerësimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Gjilanit i është shkaktuar dëm mbi 10 mijë euro nga reshjet e fundit në vend. Zhveshtoret e improvizuara në tribunën kryesore të stadiumit të qytetit janë mbushur me ujë.
Edhe te Drita konfirmojnë dëmet e shkaktuara në stadium, që edhe ashtu për kohë të gjatë është kantier ndërtimi.
Si Gjilani ashtu edhe Drita kanë fushën me bari sintetik për t’i luajtur ndeshjet. Por të dy klubeve u mungon stadiumi i qytetit.
Gjendja në stadiumin në Gjilan vetëm konfirmon kaosin rreth objekteve sportive ku do të zhvillohen ndeshjet e edicionit të ardhshëm të Superligës. Të paktën tri klube nuk e kanë të sigurt plotësisht se ku do të luajnë në edicionin e ardhshëm. Bëhet fjalë për Ballkanin, Ferizajn dhe Malishevën.
Të tri klubet duhet të bëjnë investime të reja në stadiumet e tyre për të qenë të pranueshëm për edicionin e ri.
Menaxheri i klubit Gjilani, Drilon Sylejmani, ka treguar se fushën e stadiumit të qytetit po e shfrytëzojnë vetëm për stërvitje.
“Ndeshjet si vendas do t’i zhvillojmë në fushën me bari sintetik. Nga vërshimet e fundit janë bërë të pashfrytëzueshme zhveshtoret që i kemi bërë në pjesën e tribunës kryesore. Dëmet janë të mëdha. Mbi 10 mijë euro të investuara nga klubi kanë shkuar huq. Fushën e stadiumit të qytetit po e shfrytëzojmë vetëm për stërvitje për shkak se ka bari natyral. Sintetiku po na shkakton shumë lëndime. Ne po e mirëmbajmë vetë fushën e stadiumit të qytetit”, ka thënë Sylejmani për KOHËN.
Stadiumi i qytetit në Gjilan as në edicionin e kaluar nuk i ka plotësuar kriteret për ndeshje të Superligës. Tribunat vazhdojnë të mos kenë rrethoja, ndërsa dhomat e zhveshjes janë në gjendje të mjerueshme.
Por për t’u zhvilluar ndeshjet, komisionet e federatës patën mbyllur njërin sy.
Rinovimi i stadiumit ka nisur më 23 tetor të vitit 2017, ndërsa është dashur të përfundonte më 23 tetor të vitit 2020.
Sylejmani thotë se rinovimi i stadiumit ka mbetur “në mëshirën e fatit”.
“Na është thënë jozyrtarisht që kompanisë kontraktuese për ndërtimin e stadiumit i është shkëputur kontrata. Tash ai projekt mbetet nën mëshirën e fatit”, është shprehur Sylejmani.
Te Drita kanë shpresë se ndeshjet do të mund t’i luajnë në stadiumin e qytetit.
“E vetmja gjë që mund të na largojë nga stadiumi kryesor është puna intensive, ndryshe duhet t’i luajmë ndeshjet si vendas edhe në atë gjendje në të cilën është. Është në të mirën e shëndetit të lojtarëve, sepse prej momentit që ne kemi luajtur dhe jemi stërvitur në fushën me bari sintetik, kemi pasur ankesa nga lojtarët çdo javë. Kurse tash që jemi përgatitur vetëm në fushën me bari natyral për garat e Evropës, nuk kemi pasur asnjë shqetësim. Me investime në tapet sintetik, ne po bëjmë hapa prapa. Mendoj se mund të luhet në stadiumin kryesor, vetëm duhet të drejtohen rrethojat aktuale që janë në pjesën ku vendosen shikuesit. Duhet ta shfrytëzojmë derisa bari të mbulohet nga lloçi. Atëherë duhet të zhvendosemi në fushën me bari sintetik. Nuk na konvenon fusha me bari sintetik”, ka thënë drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.
Ai pranon se në stadiumin e qytetit ka kohë që nuk është kryer asnjë punë.
“Sa i përket dëmit të shkaktuar, e kemi marrë përgjegjësinë, pasi ajo pjesë nuk është e dedikuar për zhveshtore dhe jemi futur pa e pyetur askënd, ndërsa aty nuk është i instaluar sistemi i ujit. Por, si projekt është shqetësues, pasi nuk po shohim asnjë lëvizje e aq më tepër nuk na thotë dikush se kur do të ketë lëvizje në atë drejtim. Ne po presim që Komuna të bëjë trysni te MKRS-ja si investitor”, është shprehur Zymberi.
Rinovimi i stadiumit të qytetit të Gjilanit është njoftuar se shtetit do t’i kushtojë dhjetë milionë euro, ndërsa është paraparë të jetë i kategorisë së katërt. Por, se kur stadiumi do të jetë gati nuk e di askush.
Edhe te kampioni i Kosovës, Ballkani, nuk e dinë nëse ndeshjet e para si vendas do t’i luajnë në Suharekë. Në stadium kanë nisur disa punë në dhomat e zhveshjeve, ndërsa parashihet të ndërrohet edhe tapeti.
“Kanë filluar punimet për zgjerimin e dhomave të zhveshjeve, ndërsa pas një jave besoj se do të fillojmë edhe me punimet në ndërrimin e tapetit, pasi aktuali është i dëmtuar dhe ka nevojë për t’u ndërruar. Do të vendoset sërish me bari sintetik. Shpresojmë ta kemi gati për edicionin e ri, por nëse jo do të shohim për një apo dy ndeshje si vendës t’i organizojmë në një stadium tjetër. Është si mundësi stadiumi i Feronikelit apo edhe i Prizrenit, meqenëse i Lirisë nuk është i rregulluar me sistem VAR”, ka thënë menaxheri i përgjithshëm i Ballkanit, Idriz Hajrizi.
Edhe trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi, thotë se tapeti i stadiumit “Liman Gegaj” duhet të ndërrohet.
“Edhe te ne nuk është shumë e qartë puna e fushës. Është dashur edhe te ne të ndërrohet tapeti. Në Malishevë, Komuna është duke investuar sa i përket pjesës lindore të tribunës dhe zhveshtoreve për lojtarët, kurse me tapetin nuk e di se çka do të ndodhë. Shpresoj që FFK-ja do të veprojë njësoj si edhe në klubet e tjera në ndërrimin e tapetit të fushës që të bëjnë të mundur të luajmë në fushën tonë”, thotë Thaqi.
Të padefinuar situatën me stadium e ka edhe Ferizaj.
“Do të mundohemi të adaptojmë fushën aktuale. Nëse e pranon Komisioni i FFK-së se jemi në rregull, nëse nuk e pranon atëherë duhet të bëjmë një zgjidhje. Për momentin nuk kemi ndonjë alternativë. Jemi ende në pritje të rekomandimeve. Të shtunën e kemi testuar sistemin VAR dhe të hënën i presim rekomandimet në formë të shkruar”, ka thënë drejtori sportiv i Ferizajt, Agron Selmani.
Së fundi për infrastrukturën ka folur edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Ai ka thënë se shumë projekte nuk janë të realizuara me cilësinë e nevojshme.
“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që investimet në infrastrukturë t’i bëjmë në mënyrë profesionale, duke respektuar ligjin dhe procedurën. Pse po e them këtë? Sepse i kemi gjetur edhe 200 projekte të investimeve kapitale kur e kemi marrë mandatin në këtë ministri. Kryesisht në sport, mbi 50% nga këto projekte nuk janë zhvilluar në përputhje me ligjin, procedurën. Asnjë nga këto projekte nuk i kemi punimet e realizuara me cilësinë e nevojshme. Në shumë raste kemi operator të papërgjegjshëm”, ka thënë ndër të tjera ministri Çeku gjatë një konferencë për media të mbajtur të shtunën.
Agron Selmani i Ferizajt ka bërë të ditur se MKRS-ja ka refuzuar investimin në ndërtimin e stadiumit në lokacionin e paraqitur. Të dielën klubi i futbollit Ferizaj ka bërë të ditur se të hënën do të fillojë peticioni për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Ferizaj.
Së fundi kanë nisur punime edhe në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë. Te Trepça ’89 shpresojnë që muri i vjetër i rrënuar të ndërtohet para se të nisë edicioni i ri i Superligës.
“Komuna e Mitrovicës ka marrë përsipër ndërtimin e murit të stadiumit ‘Riza Lushta’. Është mirë që të përfundojë sa më shpejt, pasi po dëmtohet fusha me hyrje të qytetarëve. Fusha është në gjendje të mirë, por problemi është se po na dëmtohet me hyrje të personave të ndryshëm”, ka thënë kryetari i Trepçë 89, Abedin Zeka.
Me status të padefinuar ka mbetur edhe stadiumi “Fadil Vokrri”. FFK-ja kërkon nga Komuna të menaxhojë me stadiumin. Por, është Komuna e Prishtinës që ende nuk ka marrë ndonjë vendim përfundimtar.
“Fadil Vokrri” është stadiumi i vetëm në Kosovë që është i pranueshëm për ndeshje ndërkombëtare.
Rinovimi në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë është larg përfundimit. Ai, po ashtu, ka mbetur kantier ndërtimi.