Sport

Kane është shumë i lodhur në prag të Botërorit

Trajneri i Tottenhamit, Antonio Conte, është shprehur i shqetësuar për sulmuesin Harry Kane në prag të Kampionatit Botëror “Katari 2022”. Kane është kapiten i Anglisë, ndërsa Conte ka paralajmëruar se sulmuesit i janë “harxhuar” golat për shkak të lodhjes nga orari i ngjeshur i ndeshjeve. Këtë paralajmërim Conte e ka bërë dhjetë ditë përpara se Kane ta udhëheqë Anglinë drejt synimit për ta fituar titullin e botës në turneun e Katarit.

Për lodhjen e Kanet trajneri italian mori përsipër një pjesë të fajit. Ai shtoi që në ekip nuk kishte opsione të tjera për ta lënë reprezentuesin anglez për të pushuar.

Pas humbjes nga Nottingham Foresti në League Cup, Conte insistoi se shkaku i mungesës së opsioneve, ishte i detyruar ta inkuadronte Kanen prej fillimit të ndeshjes. Tottenhami të mërkurën mbrëma u mposht 2:0.

Kane u zëvendësua në minutën e 60-të, por ka qenë titullar në të gjitha 21 ndeshjet që Tottenhami i ka luajtur këtë edicion në të gjitha garat. Conte aktualisht është pa sulmuesin e Koresë së Jugut, Son Heung-min për shkak të një frakture në fytyrë, ndërsa Richarlison dhe Dejan Kulusevski po kthehen nga lëndimet.

“Kane ishte më të vërtetë shumë i lodhur dhe këtë më duhet ta pranoj. Dje ne patëm një seancë stërvitore shumë të lehtë dhe në një moment ai e ndaloi veten për të rimarrë energji”, zbuloi Conte. “E përsëris se Kane është mirë me shëndet, por është shumë i lodhur dhe për këtë arsye po i mungojnë golat. Megjithatë, kjo lodhje është normale, sepse Harry luajti çdo ndeshje këtë sezon. Kur ke një lojtar si ai dhe nuk ke opsione për ta zëvendësuar, është e vështirë të vendosësh të mos luash me të”.

Për të krijuar hapësirë për zhvillimin e Botërorit të parë në mes të sezonit të futbollit, fazat e grupeve në garat evropiane të klubeve u zhvillua në periudhë dymujore. Kur Tottenhami do të përballet me Leeds Unitedin të shtunën në kuadër të Premier League, ekipi nga Londra do t’i ketë 13 ndeshje në 42 ditë para pushimit të Kupës së Botës.

“Harry Kane tregoi gjithashtu se ishte një njeri vërtet i mirë, sepse asnjëherë nuk kërkoi të mos luajë për të pushuar. Mirëpo, u fut në fushë dhe u angazhua maksimalisht për ta ndihmuar ekipin”, shtoi Conte. “Por nuk ishte vetëm ai, pasi njëjtë vepruan edhe Pierre-Emile Hojbjerg, Rodrigo Bentancur, Ivan Perishiq e Eric Dier. Ne u përballëm me një situatë të keqe me dëmtimet dhe në fund ishim në vështirësi. Tani duhet të përpiqemi të pushojmë dhe të rikuperojmë energji”.

Kane 29-vjeçar, në 21 ndeshje këtë sezon për Tottenhamin ka shënuar 12 gola dhe ka bërë tri asistime. Ai është pjesë e Anglisë prej vitit 2015 dhe njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të përzgjedhësit Gareth Southgate. Në 75 paraqitje për Anglinë, Kane ka realizuar 51 gola.

Në Botërorin “Katari 2022”, Anglia bën pjesë në Grupin B së bashku me SHBA-në, Uellsin dhe Iranin. Ndeshjen e parë në Katar, Anglia e luan më 21 nëntor ndaj Iranit.