Kampionia e botës në boks, Fabiana Bytyqi është shëruar nga koronavirusi. Lajmin e ka bërë të ditur për KOHËN-n babai i boksieres.
Fabiana Bytyqi, që është kampione boksi në kategorinë atom (deri 46.27 kilogramë) në versionin WBC, kishte rezultuar pozitive me COVID-19. Ishte bërë kampionia e parë që rezultoi e infektuar me virusin.
“Fabiana dje është lëshuar nga karantina, pasi i kanë dal testet negative. Mjekët i kanë dhënë leje që të dal në stërvitje. Do të fillojë me vrapime të lehta e me biçikletë për të kthyer energjinë”, ka thënë Fabian Bytyqi, i cili edhe vet është prekur nga COVID-19 dhe kishte marrë pneumoni. “Unë tash jam në shtëpi, e më 19 prill do të shkoj në spital për të bërë rëntgen të mushkërive, EKG dhe analiza të gjakut. Gjendja më është përmirësuar dukshëm, kam vetëm pak kollë”.
Bytyqi 24-vjeçare është lindur në Çeki dhe zhvillon karrierën në këtë vend. Në boksin profesionist ajo ka 15 fitore (5 KO) dhe një barazim. Meçin e fundit e zhvilloi më 30 nëntor të vitit të kaluar, duke e mposhtur me pikë pas 12 raundeve meksikanen Ana Arrazola.
Më herët me COVID-19 ka dal i infektuar edhe trajneri i Fabianës, Luksa Konecny.