Sport

Kampionia e botës, Fabiana Bytyqi, me koronavirus

Kampionia e botës në boks, Fabiana Bytyqi ka rezultuar pozitive me koronavirus. 

Lajmin e ka bërë të ditur për KOHËN, babai i boksieres, Fabian Bytyqi, i cili po ashtu është prekur nga COVID-19. 

“Fabiana është mirë, po presim të premten të testohet serish, e të shohim nëse do të dal negative. Krejt familja jemi mirë, me përjashtim unë kam pneumoni dhe jam në spital. COVID-19 më ka lodhur pak më tepër mua”, ka thënë Fabian Bytyqi, babai i boksieres kampione për KOHËN.

Këshilli Botëror i Boksit (WBC), version në të cilin Fabiana është kampione e botës në kategorinë atom, deri 46.27 kilogramë, ka njoftuar gjithashtu për testimin pozitiv të Fabiana Bytyqit. Ajo është kampionia e parë e botës në boks që është infektuar me COVID-19. 

“Presidenti i WBC-së, Mauricio Sulaiman dhe gjithë familja e boksit, uron shërim sa më të shpejt dhe të plotë të Fabiana Bytyqit. Fabiana Bytyqi është kampionia e parë e botës e diagnostikuar me COVID-19. Fabiana Bytyqi ka bërë histori duke u bërë boksierja e parë nga Çekia që ka fituar një titull të madh të botës, kur e mposhti në shtator të vitit 2018 Denise Castlen”, ësahtë thënë në komunikatë nga WBC.

Më herët me koronavirus ishte diagnostikuar trajneri i Fabianas Bytyqi, Lukas Konecny. Fabiana është lindur në Çeki ndërsa jeton dhe e zhvillon karrierën në këtë vend.

Në boksin profesionist 24-vjeçarja ka 15 fitore e një barazim. Së fundi titullin e botës e mbrojti në fund të nëntorit, duke mposhtur me pikë meksikanen Ana Arrazola.