Sport

Kampioni i trefishtë shpreson të këndellet në pranverë

Pavarësisht shumë telasheve, Feronikeli ia doli që të marrë dy fitore në pesë ndeshjet e para të kampionatit. Triumfoi në udhëtim te Llapi (2:0) dhe në shtëpi mposhti Dukagjinin (2:1). Më pas erdhi edhe fitorja ndaj Ulpianës (1:0). Këto rezultate bënë që Feronikeli të ishte në mesin e tabelës. Megjithatë, në katër ndeshjet e fundit, skuadra nga Drenasi nuk di për fitore. Ka pësuar po aq disfata dhe nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në këto përballje. Këto rezultate edhe e konfirmojnë krizën e klubit, që ka fituar tre tituj të kampionit, dy prej tyre pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Pas 12 xhirove të zhvilluara në Superligën e Kosovës, Feronikeli zë vendin e fundit në tabelë me dhjetë pikë të mbledhura.

Drejtori i skuadrës së Feronikelit, Artan Berisha, ka thënë për KOHËN se rezultatet negative kanë ardhur edhe si rezultat i fondit të vogël të lojtarëve. Ai këtë krizë të rezultateve e lidh edhe me vështirësitë që kanë pasur qysh prej fillimit të kampionatit. Përmend edhe bllokimin e transferimeve dhe borxhet e mëdha që ka klubi. Sipas tij, një gjë e tillë ishte edhe e pritur në klubin nga Drenasi pas të gjitha telasheve që i kishin.

“Pas disa xhirove pozitive, tani jemi në krizë të rezultateve dhe normalisht në këtë ka ndikuar edhe fondi i vogël i lojtarëve që i kemi në dispozicion. Kjo ka bërë që mos t’i kemi rezultatet që i patëm në fillim të kampionatit. Fillimisht, ka qenë shumë e vështirë derisa kemi startuar duke pasur parasysh krizën në të cilën jemi tash e sa kohë. Pastaj, me gjithë ato vështirësi; afati i bllokuar për transferime, borxhet dhe disa telashe të tjera, startuam duke ruajtur një pjesë të vogël të ekipit dhe transferuam disa lojtarë me përvojë dhe disa të rinj. E rëndësishme ishte që ia dolëm dhe i nisëm garat”, u shpreh Berisha.

Edhe përkundër të gjithave, Berisha konfirmon se për këtë vit nuk do të kenë probleme për pagat e lojtarëve. Ai konfirmon mbështetjen e Komunës se Drenasit, Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe të donatorëve.

“Sa i përket pagesave për këtë vit, jemi në rregull duke mos llogaritur këtu borxhet e kaluara. Jemi duke u munguar që të ia dalim me ndihmën e komunës, FFK-së dhe disa donatorëve që janë rreth klubit”, pranoi Berisha.

Drejtori i klubit nga Drenasit e pranon se është e vështirë për të gjithë në Drenas që ta shohin skuadrën e Feronikelit në këtë gjendje. Mirëpo, Berisha është më se i bindur që gjërat do të ndryshojnë rrënjësisht nga janari i vitit të ardhshëm. Madje, ai pret që Feronikeli sërish të jetë pretendent për trofe, siç ishte në të shkuarën. Krahas tre titujve të kampionit, Feronikeli ka fituar edhe tri Kupa e dy Superkupa të Kosovës.

“Nuk jemi mësuar ta shohim në këtë gjendje Feronikelin, por shpresojmë që gjërat do të përmirësohen. Jemi në bisedime me disa donatorë dhe besoj që në janar gjërat do të jenë më mirë. Pra, kjo situatë do të ndryshojë rrënjësisht. Shpresojmë që shumë shpejt të rregullohen gjërat dhe ta shohim përsëri Feronikelin ekip konkurrent për tituj, siç ka qenë viteve të fundit”, u shpreh Berisha.

Veçse është në pozitën e fundit në Superligë, Feronikeli gjithashtu është edhe ekipi që ka pësuar më së shumti humbje deri më tani, gjithsej tetë. Po ashtu, Feronikeli e ka sulmin me efikasitetin më të dobët në elitë, me vetëm pesë gola të shënuar karshi 17 golave të pranuar. Vetëm Ulpiana ka më shumë gola të pranuar.

Përderisa këtë sezon, synimi i Feronikelit do të jetë mbetja në Superligë, ky klub në vitin 2019 e prezantoi futbollin e Kosovës në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Në Champions e fitoi turneun para-kualifikues, që u mbajt në Prishtinë, duke mposhtur Lincolnin 1:0 dhe Santa Coloman 2:1. Por, u eliminua në rrethin e parë kualifikues nga The New Saints. Ndërkaq, në rrethin e dytë të Ligës së Evropës u eliminua nga Slovan Bratislava.