Sport

Kampi i veçantë i Shkollës së Futbollit “Fussballschule Imeri”

Nuernberg, prill – Organizimi i kampeve të futbollit nuk është diçka e re për Haki Imerin. Kampe për zbulimin e talenteve, Imeri në Nuernberg të Gjermanisë ka organizuar që prej vitit 2013.

Por, organizmi i kampit treditor, më 10, 11 dhe 12 prill, ishte i veçantë për Hakiun dhe familjen e tij. Ishte më i madhi prej themelimit dhjetë vjet më parë të shkollës së futbollit “Fussballschule Imeri”.

Kampi për grupmoshat nga U6 deri U15 u organizua në ambientet e klubit të futbollit, SGV Nuernberg 1883.

Imeri tregon për hapat e parë të organizimit të kampeve.

“Herën e parë kemi bërë vetëm dy kampe në vit. Pastaj kemi pasur edhe kontratën me ‘Telekomin’ dhe kemi pasur shumë kampe stërvitore, gati në çdo javë në gjitha qytetet e Gjermanisë. Kemi shkuar tek ato klube që kanë pasur përvjetor apo ndonjë festë të veçantë. Kam marrë 5-6 trajnerë me vete dhe kemi shkuar atje dhe kemi treguar se si ushtrohet me fëmijët”, tregon kosovari.

Për të qenë sa më madhështor organizimi, Imeri me familjarët dhe pjesën e stafit të trajnerëve, në mëngjesin e 10 prillit po përkujdeseshin për detajet e fundit.

Pjesë e stafit ishte edhe një emër i madh i futbollit. Bëhet fjalë për ish-kapitenin e Ajaxit, Tomash Galasek. Ai në të kaluarën ka bërë karrierë në Bundesligë me fanellën e Nuernbergut.

Imeri me Galasekun njihen prej kohësh. Biseda mes tyre ishte e shkurtër, meqë koha po afrohej për hapjen e kampit.

Grupi i parë që mbërriti në mëngjesin e 10 prillit përbëhej nga rreth dhjetë fëmijë, që kishin dalë një orë para se të niste kampi. Më pas iu bashkuan edhe fëmijët tjerë që ishin paraqitur për të marrë pjesë në kamp. Saktësisht 120 fëmijë morën pjesë në kampion treditor.

Pasi gjithçka ishte gati, Imeri kërkoi nga trajnerët të bënin detyrat sipas planit, për të cilin thotë se kishte punuar deri në orët e hershme të mëngjesit.

Me të marrë detyrat, trajnerët nisën punën. Fëmijë të komuniteteve të ndryshme nga mosha 6-vjeçare deri 15-vjeçare, të ndarë në nëntë grupe, nisën lëvizjet me top.

Puna dallonte varësisht nga gjenerata. Pjesëmarrësit ishin të ndarë në fusha. Fëmijët e moshave nga U11 deri në U15 punonin në fushën me bari sintetike, kurse fëmijët e grupmoshave nga U6 deri në U11, u vendosën te fusha me bari natyral.

16 trajnerët e angazhuar në kamp përkujdeseshin për ushtrime nga më të ndryshmet.

Vëmendje e madhe u kushtohej koordinimit, pjesës atletike, driblimeve, teknikës dhe pasimeve.

Pasi fëmijët stërvitën e luajtën ndeshje futbolli mes vete, koha ishte për pushim. Atmosfera nuk mungonte edhe në ambientet ku fëmijët prisnin ushqimin.

Pas pushimit të drekës, koha ishte për stërvitje të tjera.

Në ditën e dytë të kampit, krahas punës së ngjashme me ditën e parë, lojtarët u testuan edhe për shpejtësi.

Image

Medalje e mirënjohje për më të dalluarit

Nuk munguan edhe ndeshjet e futbollit. Në finale, fitues dolën disa prej nxënësve të shkollës së futbollit të Haki Imerit. Fituan 5:3. Kishte medalje e mirënjohje.

Fituesit e “Ligës së Kampionëve” siç quanin turneun, luajtën edhe kundër trajnerëve të kampit.

Në ditën e fundit të kampit, fëmijët nga afër përcollën edhe zhonglerin e njohur shqiptar, Fabian Duro. Ai tregoi aftësitë teknike, ndërsa fëmijët komentonin herë pas here me njëri-tjetrin.

Çmime të ndryshme, kryesisht me rekuizita sportive, biçikleta e trotinet, u ndanë pas përfundimit të kampit treditor.

Organizatori, Haki Imeri, u nda i kënaqur që çdo gjë shkoi sipas asaj që kishte planifikuar.

“Është kënaqësi e madhe kur i sheh lojtarët që kanë qenë këtu dhe shkojnë në ekipe profesionale. Vërtet është kënaqësi. Ka shumë që shkojnë në ekipe profesionale. Ka lojtarë gjermanë dhe të nacionaliteteve të tjera. Sot kishim edhe 12 shqiptarë nga 120 fëmijët. Me të vërtetë është kënaqësi kur i shoh shqiptarët që vijnë, stërviten dhe kanë suksese”, thotë Imeri.

Trajneri Rainer Gerlitz thotë se organizimi ka qenë i mirë dhe është i lumtur që ishte pjesë e aktivitetit.

“Kjo është sfida e kampit, të gjejmë talente të jashtëzakonshme. Fëmijët mblidhen këtu, ndërsa ne me punë mundohemi t'u hapim rrugën për t'u bërë lojtarë profesionistë”, thotë Gerlitz.

Behram Bajqinovci ishte një tjetër trajner që punoi me fëmijë në këtë kamp. Ai tha se kualiteti ishte i madh.

“Këta djem ishin shumë me dashuri, punuan shumë mirë. Ishin disa talente që mua personalisht më pëlqyen shumë. Kualiteti ishte shumë i mirë, njësoj siç ishte edhe vetë kampi. Më ka pëlqyer shumë. Djemtë ishin shumë të mirë dhe u uroj shumë suksese. Nëse vazhdojnë me këtë punë, mund të arrijnë diçka” theksoi ai.

Alfred Imeri kishte punë me më të vegjlit.

“Kushtet, pra rekuizitat, veglat sportive janë të mjaftueshme, dhe nëse e bën me dëshirë këtë punë, nuk është e vështirë që të punohet me fëmijë” thotë Imeri.

Edhe më të kënaqur janë ndarë fëmijët. Njëri prej tyre ishte Taulant Mehmeti nga Vushtrria. Ai ishte i vetmi që kishte udhëtuar nga Kosova për të marrë pjesë në kamp.

“Kam kaluar shumë mirë. Ka qenë një eksperiencë e mirë. Kam njoftuar edhe shumë shokë të tjerë. Ushtrimet kanë qenë shumë të mira dhe trajnerët kanë qenë shumë të mirë. Kemi bërë stërvitje të ndryshme, pasime, driblime e ushtrime të tjera. Këto besoj se do të më ndihmojnë shumë. Besoj që do të mund t'i arrij majat e futbollit”, u shpreh 13-vjeçari.

Felix Kohl ishte një prej më të dalluarve në kamp. Ishte portier dhe në verë do të kalojë te FC Nurnberg, te grupmoshat e reja.

“Ka qenë një kamp shumë i mirë, i mrekullueshëm, me trajnerë shumë të mirë. Kemi luajtur ndeshje të ndryshme dhe kemi bërë gara të forta, ndërsa isha edhe fitues i Ligës së Kampionëve këtu. Stërvitjet kanë qenë shumë të mira”, tha ai.

Organizatori Imeri nuk mendon të ndalet me kaq. Synimi i tij është që në një të ardhme të afërt të organizojë kamp stërvitor edhe në Prishtinë.

Image

Një dekadë punë e Imerit me fëmijë

Trajneri Imeri, punën e trajnerit e bën për kohë të gjatë. Puna e tij është e fokusuar te të rinjtë. Ai ka përcjellë dhjetë gjenerata deri tash.

“Kam pasur kontakte me fëmijë dhe me trajnerë që më kanë ndihmuar në këtë drejtim. Në mesin e tyre ka qenë edhe Tomas Galasek, me të cilin ishim së bashku në Erlangen. Ai ka pasur grupmoshën U15, unë kam pasur U17, në ligën më të lartë të Bayernit. Kështu u lidhëm me njëri-tjetrin. Aty kemi punuar katër vjet së bashku deri në vitin 2013. Nga viti 2013 vendosa vetë ta themeloj shkollën e futbollit. Filluam me 30-40 fëmijë. Pastaj vazhdimisht rritej grupi, sepse kërkoja që çdoherë të vinin trajnerë me renome, të cilët kanë luajtur në futboll profesionist, si Helmut Rahner apo Marek Mintal, por edhe shumë shqiptarë që kanë pasur emër”, tregon Imeri.

Ai është trajner edhe te skuadra SGV Nurnberg 1883, në grupmoshën U13. Nga nëntë ndeshje kjo skuadër ka po aq fitore dhe udhëheq në ligën ku garon.

“Jemi një ndër ekipet më të suksesshme në Bayern. Fëmijët janë aq të motivuar. I kam angazhuar edhe gjashtë trajnerë. I kemi 18 fëmijë. Në mesin e tyre edhe tre portierë. Punohet me ta edhe me atletikë, edhe me koordinim dhe me gjitha stërvitjet që kërkohen dhe janë të nevojshme”.

Skuadra e tij ka shënuar 42 gola. 13 prej tyre i ka realizuar sulmuesi Richard Farbulleh, i cili ka dalë në pah falë punës që ka bërë me Imerin.

“Trajneri Haki është shumë i veçantë për mua sepse më mori nga një klub më i vogël në mënyrë që të më bëjë lojtar më të mirë, më të fortë. Më ka dhënë hapësirën për të luajtur, më ka lejuar të gjuaj në portë shumë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Stërvitjet janë shumë të vështira, kemi shumë kontakte me trup me të tjerët dhe është shumë mirë këtu”, ka thënë “Richie”, siç e thërrisnin shokët e skuadrës.

Falë punës së Imerit, 19-vjeçari Sebastien Doering, mbrojtës i krahut të majtë, tani është pjesë e skuadrës ATSV Erlangen. Me këtë skuadër shkoi deri në gjysmëfinale të Kupës për regjionin e Bavarisë.

“Për mua ka qenë kohë shumë e mirë sepse jam zhvilluar shumë. Tani luaj në këtë rang garash për shkak të tij. Ai më ka dhënë vetëbesim. Jam kënaqur shumë me të. Me të jam zhvilluar shumë. Ai ka pasur rol të madh në karrierën time. Ai ka pasur ndikim të madh në rrugëtimin tim edhe si person”, theksoi Doering.

Imeri është profesor i diplomuar dhe ka punuar edhe në Gjakovë. Është pajisur me licencat për t’u bërë trajner i futbollit. Tani punon edhe si mësimdhënës në Gjermani.