Sport

Kameri synon të lërë gjurmë në finalen evropiane

Dijon Kameri, sport, futboll

Ka mbetur për t’u zhvilluar vetëm edhe finalja e Ligës për të Rinj të UEFA-s (UEFA Youth League) e njohur ndryshe edhe si Championsi i të rinjve.

Ekipi më i madh austriak, Salzburg, do të mundohet ta përsëritë suksesin e vitit 2017.

Në finalen e atij viti, Salzburgu kishte fituar ndaj Benficas, skuadrës që të hënën do ta ketë një tjetër rast për ta fituar trofeun e parë në këtë garë.

Tek austriakët gjurmë në këtë kampanjë ka lënë futbollisti i talentuar shqiptar, Dijon Kameri.

Kameri është 18-vjeçar, kurse vlerësohet për stilin e lojës që e ka. Në gjysmëfinalen të cilën Salzburgu e fitoi 5:0 ndaj Atletico Madridit, ditë më parë, kosovari kontribuoi me një asistim e një gol. Kameri luan mesfushor ofensiv.

Një sukses të tillë ai synon që ta përsëritë edhe në finale, e cila luhet të hënën nga ora 18:00, në stadiumin “Colovray” në Nyon.

“Ka qenë kënaqësi e papërshkueshme t’i shënojë gol një ekipi që është i njohur në Evropë. Kjo më bën të ndihem shumë krenar. Më motivon të stërvitem edhe më shumë dhe të arrij deri te skuadra e parë. Mendoj që shanset për të fituar në finale i kemi shumë të mëdha, sepse jemi një skuadër shumë e fortë. Ka qenë e pabesueshme dhe jam shumë i lumtur që në gjysmëfinale realizova gol dhe asistim. Është ndjenjë e papërshkueshme dhe jam shumë i lumtur”, ka thënë Kameri të dielën për KOHËN.

Kameri vlerësohet lojtar inteligjent, me teknikë të lartë, driblues dhe kontrollues i gjithë fushës me vizionin që ka për lojë. Madje shënon edhe gola. Është i mirë në gjuajtje me të dyja këmbët.

Në “UEFA Youth League” ka zhvilluar 7 ndeshje në këtë edicion. Ka shënuar dy gola dhe ka dy asistime. Golin e parë e kishte realizuar ndaj Lille në xhiron e dytë të fazës së grupeve.

Ndërkohë luan me ekipin e dytë të Red Bull Salzburgut, që njihet si FC Liefering. Kjo skuadër bën gara në rangun e dytë të futbollit austriak dhe u jep ndihmë të madhe lojtarëve të rinj që të fitojnë përvojë. Me FC Liefering, Kameri ka shënuar një gol dhe ka katër asistime.

“Kam pasur shumë suksese në karrierë. Nga U7 jam zgjedhur gjithmonë lojtar i turneve. Çdo vit e kam fituar Ligën e Austrisë. Rezultat i madh për mua ka qenë fillimi i vitit kur kam stërvitur me skuadrën e parë dhe kam luajtur në dy lojë. Por, suksesi më i madh është që bashkë me shokët e mi kemi arritur deri në finale të ‘Youth League’”, ka shtuar Kameri, që futboll nisi të luajë nga mosha 3 vjet e gjysmë dhe është i vetmi në familjen e tij që është marrë dhe merret me futboll.

Ballafaqimi me Benfican do të jetë e veçantë. Të rinjtë portugezë e kanë një tjetër shans për ta thyer “mallkimin” e ish-trajnerit të Benficas, Bela Guttmann, i cili në vitin 1962, kur ishte larguar nga skuadra, kishte thënë se ekipi nuk do të mund të fitojë trofe evropian për 100 vjet. Vetëm të rinjtë e Benficas kanë tri finale të humbura në këtë garë. Për një pjesë të kësaj historie jo të mirë të Benficas ka ndikuar edhe Salzburgu që në vitin 2017 e mposhti 2:1. Te Benfica në atë kohë kanë luajtur lojtarë si Joao Felix e Ruben Dias.

Kameri është edhe pjesë e grupmoshave zinxhirë të Austrisë. Me Austrinë U18 ka luajtur në katër ndeshje dhe ka dy gola të shënuar e një asistim. Interesim për Kamerin ka shprehur edhe Federata e Futbollit e Kosovës.