Dijon Kameri ka marrë vëmendje të madhe për paraqitjen në garat evropiane për të rinj, “UEFA Youth League”, në edicionin e kaluar. Sidomos për golin e bukur në gjysmëfinale ndaj Atletico Madridit. Atë ndeshje, të zhvilluar në prill të këtij viti, Salzburgu U19 e kishte fituar 5:0. Një gol e një asistim i dhuroi Kameri. Kameri kishte shënuar edhe një gol ndaj Lillet dhe kishte një asistim ndaj PSG-së.
Asgjë nuk ishte e rastësishme. Talenti i tij ishte parë shumë më herët. Në garën evropiane për të rinj nisi shpërthimi i kosovarit.
Rrugëtimi i gjatë e i mundimshëm Dijonit i është shpaguar të martën mbrëma. Këtë e thotë vetë futbollisti shqiptar i Red Bull Salzburgut austriak.
Salzburgu vlerësohet të jetë një prej skuadrave më të mëdha në Austri. Karrierë të madhe besohet se do të ketë edhe Kameri, 18-vjeçar. Të paktën kështu e ka dëshmuar në fushë futbollisti nga Kosova.
Dy javët e fundit për Kamerin kanë qenë të veçanta, por kulmi u arrit në Ligën e Kampionëve.
Kamerit të martën iu besua vendi i titullarit te Salzburgu, që barazoi në shtëpi me gjigantin italian Milanin. Ndeshja e parë e edicionit të ri të Ligës së Kampionëve u mbyll, 1:1.
Për mesfushorin e talentuar ofensiv ishin të rezervuara 65 minuta. Për të dyjavëshi i fundit ishte shumë i suksesshëm. Pati debutim në kupë e në ligë. Shënoi e asistoi.
“Mund të them që këto javë ishin shumë emocionuese për mua. Debutova në ligë, në Kupë dhe gjithashtu në Ligën e Kampionëve. Kjo është gjëja më e madhe që mund ta arrijë një futbollist. Kjo më bën shumë krenar dhe gjithashtu më motivon. Kam luajtur për të rinjtë kundër klubeve më të mira në gjithë Evropën, kundër më të mirëve të moshës tënde. Por të luash në Champions League është diçka plotësisht ndryshe”, ka thënë Kameri të mërkurën për KOHËN.
Ai e di se gjithmonë ka vend për përmirësime. Dhe pa u përgatitur çdo ditë, duke dhënë maksimumin e duke bërë jetë profesionale, karriera mund të ngecë. Ky nuk është synim i Kamerit. Synim i Kamerit është që të arrijë në majë të futbollit elitar.
“Sigurisht që ishte ëndërr për të arritur këtu ku jam tani. Por kjo nuk është e gjitha për mua. Kam synime më të mëdha. Dua të bëhem edhe më i mirë çdo ditë dhe dua të arrij sa më shumë suksese që është e mundur”, është shprehur talenti i Salzburgut.
Kameri thotë se përkrahja e familjes ka qenë një prej arsyeve kryesore që karriera e tij deri tani ka qenë shumë e mirë.
“Ka qenë një rrugë e vështirë por gjithmonë kam besuar te vetvetja dhe në talentin tim futbollistik. E dija se mund t’ia dilja. Gjithashtu e falënderoj edhe familjen time që më ka përkrahur në çdo hap të karrierës time”, është shprehur ai.
Kameri është pjesë e grupmoshave zinxhirë të Austrisë. Ka pesë paraqitje me Përfaqësuesen U18, ndërsa ka shënuar dy gola. Është edhe kapiten i kësaj grupmoshe.
Por ai nuk ia ka mbyllur derën Përfaqësueses së Kosovës.
“Unë për të dy ekipet jam i gatshëm”, ka thënë Kameri, kur është pyetur se a ka gjasa të luajë për Kosovën në të ardhmen.
Kameri me prejardhje është nga Podujeva, por është i lindur në Austri.