Një volejbollist nga Kosova ka realizuar transferim të veçantë. Është transferuar në Tajlandën e largët.
Bëhet fjalë për Adriatik Berishën. 25-vjeçari nga Suhareka do t’i bashkohet në fundjavë kampionit në fuqi të Tajlandës, Diamond Food Volleyball Club. Me klubin tajlandez, Berisha do të nënshkruaj kontratë për një edicion. Por, synimi tij është të mbetet më gjatë në Azi.
Ish-volejbollisti i Pejës thotë se kalimin te klubi aziatik ia ka mundësuar ish-kapiteni i Shqipërisë, Gazmend Husaj.
Kalimin në Tajlandë, Berisha e vlerëson hap para në karrierë.
“Kontratën e kam për një edicion, por nëse gjithçka shkon mirë, atëherë edhe qëndrimi im mund të jetë më i gjatë. Bëhet fjalë për një klub të organizuar. Është kampion në fuqi i Superligës së Tajlandës. Niveli i kampionatit në Tajlandë është dukshëm më i lartë sesa në Kosovë”, thotë Berisha.
Berisha së fundi ishte pjesë e Pejës. Ai me Pejën fitoi titullin dhe Kupën e Kosovës.
“Kalimi në Tajlandë është realizuar përmes një prej volejbollistëve më të mirë shqiptar, Gazmend Husaj. I jam shumë falënderues ish-kapitenit të Shqipërisë që ma mundësoi këtë eksperiencë jashtë vendit”, ka thënë Berisha.
Karrierën si volejbollist Adriatiku e nisi në Suharekë. Ka fituar trofe edhe me gjeneratat e reja, ndërsa është edhe reprezentues i Kosovës.
Berisha vlerëson lart klubin të cilit do t’i bashkohet në fundjavë. Diamond Food Volleyball Club është themeluar në vitin 2017, por vlerësohet prej klubeve më të organizuara në Tajlandë.
“Klubi është privat, por ka kushte të shkëlqyera. Është kampion në fuqi si te meshkujt ashtu edhe te femrat. Do të marrë pjesë në kampionati aziatik për klube në maj të vitit të ardhshëm në Bahrejn. Pjesë e ekipit do të jem edhe unë”, është shprehur volejbollisti kosovar.
Berisha thotë se synimet i ka të mëdha me klubin aziatik. Ndër prioritetet janë titulli i kampionit dhe Kupa.
“Synoj të ambientohem sa më shpejt në ekip, ndërsa po ashtu të fitoj trofe dhe të rritem profesionalisht. Është mundësi e mirë për t’u rritur si lojtar. Do të ishte e arritur e madhe mbrojtja e titullit. Në momentin që realizohen këto hapen shumë dyer për sezonet tjera dhe vazhdimësinë time në karrierë në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Berisha.
Ai thekson se klubi qëndron mirë edhe financiarisht.
“Për klubet tjera nuk e di, por klubi ku unë do ta vazhdoj karrierën qëndron mirë financiarisht”, ka thënë Berisha.
Transferimet e volejbollistëve kosovarë në klube jashtë vendi ndodhin rrallë.