Futboll, futboll, futboll. Edhe në kohë pandemie, duket se futbolli nuk ndalet kurrë. Por, në vitin 2022 gjithçka do të ndihet paksa e panjohur në këtë sport. Ndryshimi më i madh është Kampionati Botëror që mbahet nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor për herë të parë. Çdo turne tjetër është mbajtur në muajin maj, qershor ose korrik. Por kjo nuk do të thotë se është Botërori i parë “dimëror”. I pari që u pat mbajtur në vitin 1930 në Uruguai ishte një Kupë Botërore dimërore duke qenë se u mbajt në hemisferën jugore, ashtu si “Argjentina 1978”, “Afrika e Jugut 2010” dhe në Brazil në vitin 1950 dhe 2014.
Katari supozoi se do të priste në vapën e qershorit dhe korrikut këtë turne dhe tha se praktikisht do të ajroste të gjithë vendin. Ishte FIFA, jo Katari, që e konsideroi shumë nxehtë mbajtjen e Botërorit në muajt e zakonshëm dhe kështu vendosi të zhvendosë datat. Ishte një vendim jopopullor me shumë tifozë, por ndikimi në sezonet e klubeve evropiane nuk është aq dramatik sa shumë kishin frikë. Finalja e Ligës së Kampionëve e vitit 2022 në Shën Petersburg është më datën 28 maj siç pritej. Është ngjarja e vitit 2023 më 10 qershor, e cila po “ndrydhet” për shkak të Katarit. Duke qenë se Bundesliga ka gjithsesi një pushim të shkurtër në mes të sezonit dhe më pak ekipe se shumë liga të tjera, ndikimi - përveç hendekut të madh në nëntor dhe dhjetor - është minimal. Nuk ka asnjë efekt real në sezonin 2021/22 ndërsa sezoni 2022/23 i Bundesligës do të fillojë më 5 gusht dhe do të përfundojë më 27 maj. Për të akomoduar Kupën e Botës në Katar, Bundesliga do të prishet nga 13 nëntori deri më 20 janar. Ata lehtë mund të kishin filluar përsëri më shpejt për të siguruar një sezon më të ngushtë nga maji i vitit 2023, por donin t'u jepnin lojtarëve pak më shumë pushim në mes dhe të shmangnin më të keqen.
Ritëm i vazhdueshëm i ndeshjeve
Edhe Premier League ndalet shumë pranë fillimit të Kupës së Botës, më 13 nëntor, duke mos u dhënë shumë mundësi trajnerëve të kombëtares për t'u përshtatur mirë për Katarin. Edicioni në Premier League fillon më 6 gusht dhe rifillon shpejt pas Kupës së Botës më 26 dhjetor përpara se të përfundojë më datën 28 maj. Kjo do të thotë shumë fluturime për bollëkun e yjeve botërorë me bazë në Angli.
“Kur je lojtar, gjithçka që dëshiron të bësh është të luash, por me kalimin e viteve bëhet gjithnjë e më e vështirë të mbash ritmin konstant të ndeshjeve në krye të fluturimeve të gjata drejt klimave dhe zonave të ndryshme kohore”, tha ish-reprezentuesi i Kamerunit dhe ish-lojtari i Chelseat, Geremi, tani tani president i FIFPro Africa, në një raport të fundit nga shoqata e lojtarëve botërorë për kalendarin e futbollit.
Të luash drejtpërdrejt kështu mund të duket si një barrë, por kjo është pikërisht ajo që ata do të bënin nëse sezoni i ligës do të vazhdonte. Kështu do të ndodhë edhe me ligat që kanë kalendarë të ndryshëm për Evropën Perëndimore. Major League Soccer në SHBA për shembull do të zhvillohet nga shkurti deri në nëntor me Kupën e Botës pasuese. Normalisht atyre u është dashur gjithmonë të thyhen në mes për një Kupë Bote të qershorit. Të paktën, lojtarët evropianë do të pushojnë pjesën më të madhe të qershorit të vitit të ardhshëm me vetëm Ligën e Kombeve që do të jetë një pengesë të lehtë. Një Kupë Botërore e nëntorit gjithashtu i jep trajnerit të Gjermanisë, Hansi Flick, disa muaj të tjerë për t'u përgatitur.
“Ne duhet të zhvillohemi më tej dhe të jemi gati deri në Kupën e Botës”, tha ai. "Sa larg do të kemi arritur deri atëherë, nuk e di. Mirëpo, ne do të punojmë shumë”.
Tifozët e përfaqësueseve si Anglia mund të fillojnë të mendojnë se kjo është një gjë e mirë, duke qenë se lojtarët anglezë janë normalisht në kulmin e formës së tyre në nëntor dhe janë tepër të lodhur në muajin qershor. Kupa Botërore e klubeve u shty për shkak të koronavirusit dhe për të dytin vit radhazi do të zhvillohet në shkurt dhe jo në dhjetor. Fituesi i Bundeligas, Bayern Munichu kishte pak vështirësi për t'i bërë të gjitha të përshtatshme vitin e kaluar, kështu që favoriti Chelsea nuk duhet të kenë asnjë problem në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ironia e trajnerëve
Kupa e Afrikës që mbahet në Kameron fillon në muajin janar. Trajnerët evropianë e urrejnë faktin që ky turne vjen në mes të sezonit të tyre, por këtë herë është situata më e ndërlikuar. Edicioni i mëparshëm u luajt në qershor dhe korrik të vitit 2019 në Egjipt. Ai turne ishte zhvendosur nga Kameruni për arsye të ndryshme, por ky vend më në fund e fitoi mundësinë ta organizojë këtë turne në vitin 2022, një vit më vonë se sa ishte planifikuar. Ngjarja nuk do të ishte në të njëjtin vit me Kupën e Botës pa koronavirusin. Fillimisht ishte planifikuar të luhej në muajin qershor, por “kushtet klimatike” në Kamerun shkaktuan një kalim të mbajtjes së këtij turneu në muajin janar. Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, i cili do të humbasë Mohamed Salahun dhe yje të tjerë, me shaka iu referua Kupës së Afrikës si një “turne i vogël” kur e anashkaloi pyetjen e një gazetari së fundmi. Kjo nuk u prit mirë në Afrikë, por trajneri gjerman ishte i bindur se po ironizohej dhe donte të thoshte se ishte një turne i madh - aq sa i merr lojtarët e tij më të mirë. Krahas Salahut, Liverpooli do të jetë edhe pa Sadio Manen dhe Naby Keitan, të cilët gjithashtu do të marrin pjesë në Kupën e Afrikës. Pandemia mund të çojë ende në ndryshime tjera në kalendarin e futbollit 2022. Mund të bëhet akoma më i egër.
“Orari i ndeshjeve qysh tani është i ngarkuar, ndërsa vitin e ardhshëm do të jetë edhe më i ngarkuar nëse nuk do të ketë ndryshime të tjera. E them këtë për shkak se situata me virusin po i ndërron gjërat nga momenti nuk moment”, ka thënë Klopp.