Sport

Juventusi shkëput kontratën me Ramseyn

Mesfushori Aaron Ramsey edhe zyrtarisht nuk është më pjesë e skuadrës së Juventusit. Ekipi nga Serie A, ka njoftuar të martën se ka ndërprerë bashkëpunimin me mesfushorin uellsian.

Palët janë dakorduar ta shkëpusin kontratën që ishte e vlefshme deri në verën e vitit të ardhshëm. Për shkëputjen e kontratës para kohe, Ramsey ka marrë një dëmshpërblim prej tre milionë eurosh.

31-vjeçari ishte pjesë e Juventusit prej vitit 2019 kur iu bashkua si lojtar i lirë, por shkaku i lëndimeve të shpeshta nuk arriti të bind me paraqitje.

Me fanellën e Juventusit, Ramsey ka zhvilluar 69 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar gjashtë gola dhe asistuar po aq herë.

Në gjashtë muajt e fundit të sezonit të shkuar, Ramsey ishte i huazuar te Rangersi në Skoci.

Ai pritet t’i bashkohet Nottingham Forestit, ekip që bën gara në Premier League sezonin e ri.