Juventusi ka lëshuar dy deklarata në lidhje me hetimin, një mbi implikimet e mundshme financiare mes planeve të klubit për një rritje të kapitalit dhe një tjetër për aspektet sportive.
“Bianconerët” janë nën hetim për kontabilitet të rremë, gjë që padyshim mund të kenë pasoja të rënda brenda dhe jashtë fushës.
Presidenti Andrea Agnelli është në mesin e atyre që janë hetuar dhe e njëjta gjë është bërë edhe me nënkryetarin Pavel Nedved dhe ish-drejtorin e klubit Fabio Paratici, tani në Tottenhami.
Javën e kaluar, Guardia di Finanza (Policia Financiare Italiane), mbërriti në qendrën stërvitore “Continassa”, duke konfiskuar dokumentet në lidhje me transferimet me vlerë mbi 50 milionë euro midis vitit 2019 dhe 2020.
Juventusi konfirmoi se, më 24 nëntor, prokurori i Federatës së Futbollit të Italisë (FIGC), i kërkoi klubit dokumentet financiare dhe dokumentacionin e kontabilitetit në lidhje me të drejtat për shërbimet sportive të disa futbollistëve.
Gjiganti i Serie A, konfirmoi gjithashtu se transferimi i Cristiano Ronaldos te Manchester Unitedi është nën vëzhgim.
Megjithatë, hetimet nuk do të thonë që Juventusi do të përjashtohet automatikisht nga garat nëse shpallet fajtor, por është skenari më i keq që mund t’i ndodhë klubit.