Sport

Juventusi e do De Vrijin pa dëmshpërblim

Krerët e Juventusit janë duke u munduar të bindin futbollistin e Lazios, Stefan de Vrij që t'u bashkohet si lojtar i lirë në verën e ardhshme.

Reprezentuesi i Holandës ka kontratë me Lazion deri në qershor të vitit 2018, dhe deri më tash nuk ka firmosur kontratë të re me skuadrën romane.

Sipas "Corriere dello Sport", Lazio i ka ofruar De Vrijit një kontratë të re të vlefshme deri në vitin 2022, me pagë dukshëm më të madhe se 1.3 milionë euro për stinor sa merr me kontratën e tashme.

Mirëpo, Juventusi po ashtu është i interesuar në qendërmbrojtësin, dhe dëshiron të bindë atë të pres deri verën e ardhshme dhe ta transferojë si lojtar të lirë. Lazio kërkon 40 milionë euro për të shitur holandezin këtë verë.

Duke marrë parasysh situatën, De Vrij mund të firmosë parakontratë me Juventusin në janar, gjashtë muaj para se t'i skadojë kontrata me Lazion.