Me 62 ndeshje, Kastriot Jupa mban rekordin për paraqitje në përfaqësueset e Kosovës. Për Kosovën ka shënuar 203 gola, që është tjetër rekord, ndërsa ka fituar gjashtë herë çmimin e hendbollistit më të mirë në Kosovë, si askush tjetër. Lista e sukseseve të hendbollistit gjakovar është gjatë
Kastriot Jupa ka një dekadë që luan hendboll për Kosovën. Kur kanë kaluar dhjetë vjet nga debutimi ndërkombëtar, 31-vjeçari nga Gjakova ka arritur të paraqitet për Kosovën më shumë se çdo lojtar tjetër, jo vetëm në hendboll por edhe në sportet e tjera kolektive.
Pivoti Jupa numëron 62 ndeshje me përfaqësuesen e Kosovës. Po përgatitet për t’i luajtur edhe dy ndeshje tjera, ndërsa synimi i tij është që me Kosovën t’i luajë 100 ndeshje.
“Do të ishte një kujtim i mirë për mua, familjen dhe federatën, pasi do të jetë vështirë për lojtarët tjerë ta arrijnë këtë shifër”, ka thënë Jupa në një bisedë për KOHËN.
Më 10 dhe 13 janar përfaqësuesja e Kosovës në hendboll i luan dy ndeshje të raundit promovues të kualifikimeve për “Euro 2026”. Jupa është optimist se do të kalohet Britania e Madhe dhe kështu do të sigurohet paraqitja në kualifikimet e rregullta, ku Kosova ishte në ciklet e kaluara. Për Euro 2026, përfaqësuesja pra ka bërë hap prapa.
Jupa, që është zëvendëskapiten, kujton paraqitjen e parë me fanellën e Kosovës.
“Prej vitit 2014, kur zyrtarisht jemi pranuar në EHF dhe IHF, që nga ndeshja kundër Rumanisë nuk kam munguar në asnjë grumbullim dhe në asnjë ndeshje. I kam zhvilluar të gjitha ndeshjet prej asaj kohe. Synimi është 100 paraqitje për Kosovën. Do të ishte ndjenjë speciale t'i kem 100 ndeshje për shtetin dhe shpresoj t'ia arrij deri në fund”, është shprehur Jupa.
Karrierën si hendbollist Jupa thotë se e nisi kur ishte 14-vjeçar. Hendbolli nuk ishte zgjedhja e tij e parë.
“Kam provuar futboll dhe basketboll, por e kam pasur shoqërinë në hendboll. Kam filluar prej moshës 14-vjeçare me hendboll në shkollën e hendbollit 'Bashkim Idrizi' pastaj në ekipin e parë të Vëllaznimit dhe pas dy edicioneve, në moshën 18-vjeçare u transferova në Pejë. Prej dhjetë edicioneve në Besë, nëntë herë fituam titullin dhe tash së fundi që një vit e gjysmë jam në Gjermani”, është shprehur Jupa.
Në Gjermani, Jupa luan për LHC Cottbus, që garon në rangjet e ulëta.
Por karriera që Jupa ka zhvilluar me fanellën e Kosovës dhe Besën e Pejës vlerësohet lartë. Ai për Kosovën ka shënuar 203 gola, që po ashtu është rekord për lojtarët e sporteve kolektive. Mban edhe rekordin për çmime individuale. E ka fituar gjashtë herë epitetin e hendbollistit më të mirë në Kosovë.
Mentor Zhdrella, i tërhequr vite më parë, mban rekordin në futboll. Ai e pati fituar katër herë çmimin e më të mirit.
“Çdo vit kemi pasur ndeshje ndërkombëtare të cilat më kanë shërbyer për t'u rritur si hendbollist. Prej dhjetë edicioneve, gjashtë herë kam qenë hendbollisti më i mirë në Kosovë. Dëshira më e madhe ka qenë ta përfaqësoj Kosovën. Sa herë që kam marrë ftesën e Kosovës, i pari kam qenë që i jam përgjigjur pozitivisht ftesës për ta përfaqësuar shtetin tonë”, ka thënë hendbollisti korpulent.
Jupa thotë se Kosova ka pasur rritje si në aspektin e rezultateve ashtu edhe të organizimit.
“Mezi kemi pritur që të jemi pjesë e Kosovës për shkak se është një atmosferë e mirë ndërmjet lojtarëve, kemi pasur rezultate të mira dhe presim të kemi grumbullime të tilla për shkak se kemi bërë gjithnjë një hap para”, thotë lojtari me përvojë.
Ai në mesin e sukseseve e vlerëson shpalljen e pivotit më të mirë në dy turnetë për shtetet në zhvillim.
“Suksesi më i madh besoj se ka qenë në turnetë për shtetet në zhvillim, ku jam shpallur dy herë pivoti më i mirë. Kanë qenë më shumë se 20 shtete dhe dy herë që është zhvilluar jam shpallur lojtari më i mirë në pozitën time dhe kjo ka qenë më e veçantë për mua”.
Jupa vlerësohet për angazhimin maksimal si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje. I tillë u shfaq edhe në përgatitjet për dy ndeshjet kundër Britanisë së Madhe. E karakterizon edhe efikasiteti kur merr topin afër vijës.
“Shpresoj që këtë vit të kemi një arritje më të madhe, pasi meritojmë të jemi pjesëmarrës në ndonjë ngjarje të madhe. Kemi shumë vjet që provojmë dhe në fund për gabime të vogla diskualifikohemi. Shpresoj të jetë viti jonë”, ka thënë Jupa.
Në fakt Kosova duhet ta kalojë fillimisht Britaninë e Madhe e më pas ta kërkojë suksesin në kualifikimet e rregullta.
Jupës i mbetet merak që ende nuk është paraqitur me Kosovën në ndonjë ngjarje madhore.
“I kam arritur të gjitha në aspektin individual dhe tash mungon vetëm një kualifikim në një ngjarje të madhe, Botëror ose Evropian”, thotë Jupa.
Ka plot ndeshja të Kosovës e Besa Famgasit që janë vendosur nga Jupa. Të shtunën ai shënoi në sekondat e fundit për fitoren 24:23 të Kosovës në ndeshjen përgatitore ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe. Kontribut i madh pritet prej tij edhe në ndeshjet me Britaninë e Madhe.
Pozita e pivotit vlerësohet pika më e fortë e Kosovës dhe ku konkurrenca është më e madhja. Kjo falë edhe kontributit të Jupës për një dekadë rresht.