Sport

Javët vendimtare për titull në Angli

Pep Guardiola

Gara për titull mes Manchester Cityt dhe Arsenalit po shkon drejt fundit.

Ndërkohë konkurrenca për kualifikim në Ligën e Kampionëve për edicionin tjetër është rritur edhe më shumë.

Kur kanë mbetur edhe tri xhiro për t’u luajtur deri në fund të kampanjës, ende shumë gjëra janë të paqarta.

Në fundjavë, Manchester City, që u bë lider jo shumë kohë më parë, do të luajë në udhëtim tek Evertoni, në kuadër të xhiros së 36-të. Everton–City luhet të dielën në orën 15:00.

City, që ka seri prej 10 fitoreve, është në pozitën e parë me 82 pikë. Ka një pikë më shumë se Arsenali i vendit të dytë dhe një ndeshje më pak të luajtur.

Pas ndeshjes me Evertonin, City e pret Chelsean, luan ndeshjen e mbetur në udhëtim te Brightoni dhe udhëton në fund te Brentfordi.

Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, mund ta ketë mendjen te ndeshja kthyese e Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit. Gjysmëfinalja e dytë luhet në mesjavën e ardhshme.

Arsenali do të luajë në shtëpi kundër Brightonit, të dielën nga ora 17:30.

Më pas udhëton te Nottingham Foresti, kurse e mbyll kampanjën me duelin në shtëpi kundër Wolverhamptonit.

Nëse Arsenali i fiton ndeshjet e mbetura të këtij edicioni, Cityt do t’i duhen edhe tri fitore nga katër ndeshje gjithsej për ta pasur të sigurt titullin.

Edhe gara për top-katërshe është shumë e fortë.

Në garë janë Newcastle Unitedi në vendin e tretë me 65 pikë, Manchester Unitedi me 63 pikë, Liverpooli me 62 pikë dhe Tottenhami i vendit të gjashtë me 57 pikë.

Në pjesën e poshtme të tabelës, skuadra e vendit të fundit Southamptoni ka 24 pikë, tetë më pak se skuadra në zonën që siguron mbijetesën.

Me shumë gjasë do të largohet nga Premier League pas 11 vjetësh në elitë.

Largimi nga elita mund të konfirmohet të shtunën, nëse kjo skuadër nuk e mposht në shtëpi Fulhamin.

Në pozitën e parafundit është Leedsi me 30 pikë, aq sa ka edhe Leicesteri në vendin e 18-të. Edhe pozita e 18-të dërgon në kategorinë e dytë.

Evertoni në pozitën e 17-të nuk e ka ende të sigurt qëndrimin. I ka 32 pikë. Pjesë e elitës së futbollit anglez Evertoni është prej vitit 1954.