Sport

Jakup Berisha shpallet “Ylli i Javës”

Mesfushori i Feronikelit ’74, Jakup Berisha, është shpallur futbollisti më i mirë i xhiros së 6-të në Superligën e Kosovës në futboll. Berisha ka fituar çmimin “Ylli i Javës”, të cilin ia ka ndarë një komision i veteranëve të futbollit, ka njoftuar FFK-ja të hënën.

Sipas këtij komisioni, Berisha pati paraqitje fantastike në fitoren e ekipit të tij ndaj Lirisë së Prizrenit. Feronikeli ’74 fitoi 5:3 me përmbysje të rezultatit, ndërsa Berisha në këtë triumf kontribuoi me dy gola. Për ekipin nga Drenasi, kjo ishte fitorja e dytë këtë edicion në elitën e futbollit kosovar.

“Jam shumë i lumtur për fitoren dhe faktin që e kam ndihmuar ekipin të arrijmë një tjetër fitore të vlefshme në Superligë. Feronikeli ’74 nga ndeshja në ndeshje do të hyjë për rezultate pozitive dhe besoj që me punën që po e bëjmë, do të arrijmë pikë maksimale në çdo ndeshje”, ka thënë Berisha. Xhiron e ardhshme, që luhet në mesjavë, Feronikeli ’74 e pret skuadrën e Dritës.