Përzgjedhësi i Izraelit në futboll, Alon Hazan, dhe kapiteni Eli Dasa vlerësuan lart Kosovën. Por si trajneri ashtu edhe kapiteni kanë thënë se në Kosovë kanë ardhur për ta fituar ndeshjen, që do të luhet të dielën nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Trajneri Hazan ka kërkuar paraqitje të mirë për të shënuar tjetër sukses në skenën evropiane.
Izraeli kërkon kualifikimin e dytë, përkatësisht të parin pas një kohe të gjatë në një ngjarje ndërkombëtare. Në vitin 1970 u paraqit në Botëror, ndërsa kualifikimi në Evropian mbetet synim.
Ndeshja në mes të Kosovës dhe Izraelit është dashur të luhej muajin e kaluar, por u shty për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.
“Kosova ka skuadër shumë të mirë. Ishte e qartë nga fillimi se Izraeli, Rumania dhe Kosova do të luftojnë për vendin e dytë. Do të jetë ndeshje shumë e vështirë. E respektojmë Kosovën. Do të kemi punë të vështirë”, ka thënë Hazan, përzgjedhësi i izraelitëve.
Hazan dhe kapiteni Eli Dasa u përcollën deri te salla e konferenca nga një numër i madh i sigurimit shtetëror izraelit. Sigurim të madh pati edhe në hapësirën e brendshme të stadiumit, ku izraelitët zhvilluan stërvitjen e fundit para ndeshjes me Kosovën.
Përzgjedhësi dhe kapiteni i izraelitëve i janë gëzuar kthimit të Eran Zahavit në përfaqësuese. E llogarisin si lojtar shumë të rëndësishëm.
“Jemi këtu dhe ndihemi rehat. Nuk kemi frikë. Ne jemi Izraeli. Kemi ardhur për të luajtur futboll dhe gjithmonë do ta përfaqësojmë shtetin tonë”, është shprehur Dassa. Izraeli këtë muaj do t’i zhvillojë edhe tri ndeshje të tjera.
Izraeli ka 11 pikë pas gjashtë ndeshjeve në Grupin I dhe është i treti. Kosova është e katërta me shtatë pikë në shtatë ndeshje.