Nënkampioni në fuqi i Kosovës në futboll, Gjilani është eliminuar nga Kupa e Kosovës. Skuadra e trajnerit Bylbyl Sokolit ka pësuar humbje në udhëtim nga Istogu në ndeshjen e 1/8 të finales të Kupës së Kosovës.
Ndeshja e luajtur të mërkurën ka përfunduar 2:0 në të mirë të skuadrës së Ligës së Parë, Istogut. Golat për ekipin vendas i realizuan Yoan Olivier (63’) e Erion Qeta (67’).
Krahas Istogut, të mërkurën fitore në 1/8 e finales, kanë shënuar edhe Trepça ’89 e Feronikeli. Skuadrës së Feronikelit i ka mjaftuar goli i shënuar në minutën e 90-të nga sulmuesi Marko Miliçkoviq për ta mposhtur në udhëtim Arbërinë e Dobrajës me rezultatin 1:0. Ndërkohë, Trepça ’89 ishte shumë e fortë për Ferizajn që e mposhti me rezultatin bindës 4:0. Golat për mitrovicasit e shënuan Robert Rrahmani (45’), Arbnor Muja (67’, 70’) dhe Nikson Mema (78’).
Istogu, Feronikeli e Trepça ’89 në çerekfinale i janë bashkuar Prishtinës, Llapit e Drenicës që avancuan në këtë raund të Kupës së Kosovës të martën.
Ndërkohë, çerekfinalisti i fundit do të mësohet të enjten në ndeshjen e fundit të këtij rrethi që do të luhet ndërmjet Dukagjinit dhe 2 Korrikut të Prishtinës.