Sport

Ismet Krasniqi e fiton edhe një mandat në krye të KOK-ut, garë e fortë për nënkryetarë e anëtarë të Bordit Ekzekutiv

KOK

Ashtu si pritej, Ismet Krasniqi fitoi edhe një mandat për ta udhëhequr Komitetin Olimpik të Kosovës. Krasniqi ishte kandidati i vetëm për postin e presidentit dhe u zgjodh me aklamacion.

Asambleja Zgjedhore e Komitetit Olimpik të Kosovës u mbajt të premten mbrëma në Prishtinë.

Krasniqi është në krye të Komitetit Olimpik të Kosovës prej vitit 2021. Më parë e ka drejtuar Federatën e Karatesë së Kosovës.

“Ky është një privilegj i madh dhe një përgjegjësi e pamatshme, që më mbush me krenari dhe përkushtim. Besimi që ju më dhatë përmes votës tuaj nuk është vetëm një mandat, por është një kontratë e ndershme dhe e shenjtë me ju, me federatat që përfaqësoni dhe me komunitetin sportiv të Kosovës. Ky akt i juaji është një dëshmi se puna jonë e deritanishme ka gjetur vend në zemrat dhe mendjet tuaja. Ju falënderoj që na keni njohur si aleatët tuaj në këtë mision të përbashkët për zhvillimin dhe fuqizimin e sportit në vendin tonë”, ka thënë Krasniqi pasi fitoi mandatin e ri katërvjeçar në krye të organizatës kryesore sportive në vend.

Derisa presidenti u zgjodh shpejt, garë e fortë dhe e gjatë u zhvillua për nënpresidentë dhe anëtarë të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut.

Pasi kishte shumë kandidatë, votimi ishte i fshehtë.

Në garën për nënpresidentë përkrahjen më të madhe e mori Milaim Kelmendi, që zgjidhet nënkpresident i parë. Kelmendi kishte paralajmëruar kandidaturën për president, por ndërkohë hoqi dorë nga kjo ide.

Ai mori 71 vota. Kelmendi është kryetar i Federatës së Skijimit të Kosovës. Nënpresident i dytë i KOK-ut, sipas votimit, është Arben Fetahu. Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës mori 56 vota. Gazmend Maxhuni mori 55 vota dhe është nënpresidenti i tretë, ndërsa Musa Selimi  me 51 vota u zgjodh nënpresidenti i katërt.

Gentiana Beqa nuk e fitoi besimin, duke mbledhur 50 vota, njëjtë si Eugen Saraçini që kishte 24 vota dhe Fatmir Makolli që i kishte 22 vota.

I ndërlikuar ishte procesi zgjedhor për anëtarë të Bordit Ekzekutiv. Pas raundit të parë të votimit, u paralajmërua raundi i dytë. Por ndërkohë u tha se nuk ka nevojë për rund të dytë dhe gjashtë anëtarët e zgjodhën në bazë të votimit të bërë në raundin e parë.

Me vota të asambleistëve, anëtarë të Bordit Ekzekutiv u zgjodhën: Besire Domaniku me 59 vota, Florian Miftari me 58, Bahri Gjinovci me 56, Avni Nuha me 46, Vjollca Krasniqi me 41 dhe Teuta Beselica me 31 vota.

Sportistët në Bordin Ekzekutiv i përfaqëson Distria Krasniqi, fituesja e dy medaljeve olimpike, një të artë e një të argjendtë.

Presidenti i KOK-ut e kishte të drejtën e zgjedhjes së tre anëtarëve të Bordit dhe atij i është dashur shumë kohë për të vendosur. Përzgjodhi Fatos Tabakun e xhudos, Halil Sylejmanin e atletikës dhe Arianit Nikqin e bjeshkatarisë.

Para Asamblesë Zgjedhore është mbajtur Asambleja e Punës e Komitetit Olimpik të Kosovës. Janë miratuar të gjitha raportet, ndërsa ish-presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, u zgjodh “President i Nderit”. Ai ka udhëhequr Komitetin Olimpik të Kosovës për plot 25 vjet, nga viti 1996 e deri në vitin 2021. Hasani ka udhëhequr procesin e gjatë e të komplikuar të lobimit për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Kjo edhe u arrit në vitin 2014, ndërsa menjëherë në vitin 2016, Kosova fitoi medaljen e parë të artë olimpike. Tashmë i ka tri të arta olimpike, një të argjendtë e një të bronztë. Të gjitha janë fituar në sportin e xhudos.