“Feronikeli 74” quhet klubi i cili të shtunën nisi garimin në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Të paktën kështu paraqitet në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës. Po të shtunën profili i KF Feronikeli në Facebook ndryshoi emrin në “FC Feronikeli 74”.
1974 është viti i themelimit të klubit të futbollit nga Drenasi. KF Feronikeli për disa vjet ishte klubi më i organizuar dhe më stabil në Kosovë. Ka fituar tre tituj të kampionit (2014/15, 2015/16 dhe 2018/19). Ka fituar tri herë edhe Kupën e Kosovës (2013/14, 2014/15 dhe 2018/19). Dy herë fitoi Superkupën e Kosovës e po ashtu dy herë luajti në gara evropiane.
Por në vitet e fundit Feronikeli u përball me krizë të madhe financiare e më pas edhe organizative. Në edicionin e kaluar nuk ia doli të siguronte mbetjen në elitën e futbollit kosovar dhe kështu ra në Ligën e Parë.
Por në një proces jotransparent, Feronikeli i është nënshtruar një bashkimi (fuzionimi) me një klub tjetër dhe tani ka nisur garimin me emrin e ri, Feronikeli 74. FFK-ja nuk ka dhënë ndonjë njoftim për këtë proces, që, sipas atyre që Feronikeli u ka mbetur borxh, është shumë i dyshimtë.
KF Feronikeli u ka mbetur borxh shumë lojtarëve e të paktën një trajneri. Borxhi ndaj një lojtari është 25 mijë e 200 euro. Ndaj një tjetri 28 mijë euro. Nuk është qartësuar nëse “klubi i ri” pas fuzionimit ka trashëguar borxhet e KF Feronikelit. Apo nëse ka trashëguar lavdinë e klubit me të cilin mburrej i gjithë Drenasi. Nuk është qartësuar edhe se kujt i takojnë trofetë e KF Feronikelit. KOHA i ka shkruar FFK-së, drejtuesve të “klubit të ri”, Komunës së Drenasit dhe MKRS-së për të kërkuar sqarime lidhur me situatën e krijuar. Por të hënën nuk ka marrë përgjigje.
Dejan Vukiçeviq është një prej ish-trajnerëve të Feronikelit. Trajneri nga Mali i Zi aktualisht e drejton Laçin në Superligën e Shqipërisë. Ardhja e Vukiçeviqit te KF Feronikeli ishte përcjellë me bujë, ndërsa ai në krye të ekipit nga Drenasi kishte qëndruar nga 6 gushti e deri më fund të tetorit të vitit 2019. Feronikeli ishte kampion në fuqi, ndërsa Vukiçeviqin e solli Naser Ramaj, që edhe e kishte shndërruar Feronikelin në forcë të futbollit kosovar. Ramaj ishte president i Feronikelit për shumë vjet.
Vukiçeviq ka thënë të hënën për KOHËN se KF Feronikeli ka obligime ndaj tij dhe se ndryshimi i emrit të klubit nuk nënkupton edhe ndryshimin e fjalëve, përkatësisht të marrëveshjes. Ai ka treguar se nuk i është drejtuar ndonjë gjykate për të kërkuar borxhin e Feronikelit.
“Sinqerisht kam raport shumë korrekt me Naserin (Ramaj v.j). Kemi bashkëpunuar shumë mirë. E llogaris shok, ndërsa është e vërtetë që kemi pasur mosmarrëveshje të caktuara pas përfundimit të bashkëpunimit. Klubi ka vlerësuar se nuk ka obligime, ndërsa unë si profesionist jam i mbrojtur me kontratë. Kam tentuar përmes një bisede të hapur dhe të sinqertë të zgjidh situatën. Kam respekt maksimal dhe besim në Naserin dhe nëse vlerëson se ka detyrime të caktuara, ndryshimi i emrit nuk do të thotë ndryshim i njerëzve dhe fjalëve që për mua kanë vlerë të njëjtë me letrën e nënshkruar”, ka thënë Vukiçeviq të hënën mbrëma.
Ramaj ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të klubit, ndërsa në vitet e fundit të qëndrimit të tij në klub u grumbullua borxhi që ishte njoftuar të jetë 700 mijë euro. Borxhi ishte mbledhur prej vitit 2019 e tutje.
“Feronikelit i dëshiroj kthim të shpejtë në shtigjet e suksesit. Mënyra se si jam respektuar dhe trajtimi që kam pasur gjatë qëndrimit në Prishtinës, raporti i njerëzve në klub, më detyron të jem falënderues dhe të kem respekt maksimal”, ka theksuar trajneri nga Mali i Zi.
Te Feronikeli, në ditët më të mira të klubit, rrogat e lojtarëve dhe trajnerëve ishin të larta. Valdet Shoshi nga Shoqata e Trajnerëve ka treguar se Vukiçeviq kishte pagë prej 7000 eurosh në muaj.
“Unë jam administrator i krejt trajnerëve, punoj në Shoqatën e Trajnerëve. Një kohë e kam menaxhuar faqen e ‘connection’, programin. Kontratat e trajnerëve i kam pasur gjithnjë aty dhe ka pasur pagë prej 7000 eurosh në Kosovë. Trajneri i Feronikelit, Vukiçeviq”, ka thënë Shoshi të dielën mbrëma në Sportin Total.
Ndaj lojtarëve borxhi i KF Feronikelit është shumë më i lartë se ai ndaj trajnerit nga Mali i Zi. Deri më tani lojtarët nuk i kanë marrë paratë që i kanë fituar me djersë. Pas ndryshimeve që ndodhën së fundi, mbetet të shihet nëse ata ndonjëherë do të marrin këtë borxh.
