Mbrojtësi Alban Pnishi ishte prezantuar nga klubi i Feronikelit më 19 gusht 2020, si goditje e fuqishme dhe si ish-reprezentues i Kosovës. Por ende pa përfunduar stinori vjeshtor e ardhmja e tij te tri herë kampioni i Kosovës është vënë në pikëpyetje.
Pnishi së bashku me katër lojtarë të tjerë, Vikor Kuka, Marclei Cesar Santos, Ozbej Kuhar dhe Argjend Bardhi, janë duke u stërvitur të veçuar nga grupi dhe që të gjithë mund të largohen në afatin kalimtar të janarit, pasi në shërbimet e tyre, siç mëson KOHA, nuk llogarit shumë trajneri Klodian Duro.
Zëdhënësi i Feronikelit, Erlind Krasniqi, e ka pranuar se disa futbollistë janë duke u stërvitur të ndarë për të marrë formën. Por, sipas tij, ende nuk e kanë liruar asnjë lojtar. Krasniqi flet edhe për Pnishin që ka pasur probleme me lëndim.
“Klubi kur e ofron ose e largon një futbollist, del vetë me njoftim që do të thotë, Feronikeli nuk e ka liruar asnjë futbollistë deri me tani, por ka kërkuar nga lojtarët që të stërvitin më shumë që ta arrijnë formën. Sigurisht në janar do të ketë largime dhe afrime, por emra nuk mund të përmend tani. Trajneri është dhe mbetet ai që e bën planin stërvitor dhe gjithçka tjetër. Pnishi ka qenë i lënduar dhe për të arritur formën i duhet regjim tjetër stërvitor”, tha Krasniqi, i cili insiston se atmosfera brenda klubit është shumë e mirë.
“Atmosfera brenda klubit është shumë e mirë edhe pse rezultatet nuk janë ato të cilat i ka pritur klubi. Në fakt, objektivat e klubit i dinë të gjithë si ne brenda, ashtu edhe jashtë, sepse ne nuk hyjmë në këtë garë për të mbijetuar. Feronikeli hyn në këto gara për t’i fituar, siç ka bërë këto vitet e fundit”.
Krasniqi ka folur edhe për të larguarit nga klubi, dy trajnerët, Ramiz Dervishi dhe Avni Hasani (trajner i portierëve). Sipas tij, vendimet i ka marr kryetrajneri Klodian Duro.
“Për rastin e Grecës dhe të Elmi Limanit nuk dua të shtoj asgjë, pasi që fotografia e publikuar tregon gjithçka. Ramiz Dervishi dhe Avni Hasani nuk janë pjesë e shtabit teknik dhe Feronikeli i falënderon të dy këta për ato që kanë bërë për klubin deri më tani. Është kryetrajneri ai i cili vendos se me kë do të punojë në ekip”, theksoi Krasniqi.
KOHA ka biseduar edhe me mbrojtësin Alban Pnishi. Ai ka thënë se askush nuk i ka thënë se nuk do të jetë më pjesë e klubit. Pnishi nënvizon se lëndimi ka bërë që ai të mos jetë në formën që është pritur.
“Jo, nuk është e vërtetë që na ka treguar klubi që nuk llogarit më në shërbimet tona. Unë jam pjesë e klubit dhe deri sot nuk kam dëgjuar asgjë. Është e vërtetë që nuk kam pasur momente të mira, por besoj se si klub nuk po shkojmë mirë. Unë kam qenë i lënduar prej që ka ardhur trajneri Klodian Duro dhe jam kthyer para dy jave në stërvitje. Të hënën do të kemi stërvitje në orën 11:00 dhe do të shohim se çfarë do të na thonë. Neve klubi na ka thënë që jemi në planet e Feronikelit”, tha Pnishi.
Ish-futbollist i Kosovës shprehet se ka kontratë me Feronikelin dhe se do të japë maksimumin derisa të jetë pjesë e klubit nga Drenasi.
“Unë kam kontratë me Feronikelin deri në fund të sezonit. Për aq kohë sa do të jem këtu te Feronikeli, do të jap maksimumin. Unë kam kaluar shumë mirë derisa u lëndova. Pastaj çdo lëndim i ka gjërat e veta. Kam qenë shumë i kënaqur që kam mundur të kthehem në Kosovë dhe besoj që do të kthehem në atë formën që kam qenë”, përfundoi Pnishi.
Alban Pnishi ka luajtur titullar në katër ndeshjet e para të sezonit, e më pas është lënduar. Ndërkaq në tri ndeshjet e fundit me trajnerin Duro, ai ka qenë në bankën e rezervistëve. 30-vjeçari ka luajtur shtatë ndeshje me Kosovën A.
Feronikeli nuk po kalon momente të mira në sezonin 2020/2021 të Superligës së Kosovës në futboll. Pas rezultateve jo të mira në fillim të edicionit, u largua trajneri Afrim Tovërlani. Vendin e tij e zuri trajneri nga Shqipëria, Klodian Duro. Por as me Duron gjërat nuk kanë ecur sipas planifikimeve, pasi skuadra arriti vetëm një fitore në shtatë ndeshje me Duron në krye dhe pësoi dy humbje dhe katër barazime. Pas 12 xhirove, Feronikeli zë vendin e 8-të në renditje me 12 pikë. Kjo pozitë në fund të kampionatit dërgon në barazh për të kërkuar pastaj qëndrimin në Superligë edhe për sezonin tjetër.
para kalimit te Feronikeli kishte luajtur në Izrael te Bnei Yehuda. Ishte edhe në Graashopper e Wohlen në Zvicër.