Sport

Inaugurohet Qendra Nacionale e Xhudos

Sot u bë inaugurimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë. Prezentë në këtë ngjarje ishin presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, Kryetarit i FNXH-së, Marius Vizeri, sportistë dhe zyrtarë institucionesh.

Presidentja Osmani ka deklaruar se historia do të flasë për vendin, pasi “të artat tona e bënë të mundur një gjëq të tillë”.

“Së pari Majlinda e më pas Distria dhe Nora. Jeni ju që na bëni të mburremi me sukseset tuaja. Fillimet e juaja sigurisht që nuk kanë qenë të lehta. Puna dhe stërvitja e madhe dhe përkushtimi që keni pasur ka sjell suksesin e madh. Ju e zbardhët fytyrën e një kombi tërë”, është shprehur Osmani.

Me medaljen “Nderi i Republikës” janë nderuar xhudistet Nora Gjakova, Distria Krasniqi si dhe klubi i xhudos “Ippon”.

Tutje, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se nevoja për infrastrukturë është e domosdoshme për të arritur suksese, dhe se kjo Qendër nuk do të ishte e mundur pa suksesin e xhudistëve.

“Kjo Qendër është sepse ju jeni në qendër. Jeni shembull që duhet ta ndjekim në të gjitha sferat. Jam i lumtur që kemi arritur të bëjmë Qendrën Nacionale. Bashkarisht kemi ndërtuar shtëpinë e re, sporti është prioritet shtetëror. Do të rrisim numrin e të rinjve që të merren me sport”, ka thënë Kurti.

Kreu i FNXH-së, Marius Vizeri, ka uruar xhudistet për sukseset në Olimpiadë, duke thënë që është kënaqësi që pas Japonisë, Kosova është vendi i dytë në Lojërat Olimpike.

“Shpresoj që këto rezultate të arritura të jenë inspirim për gjeneratat e reja. Duhet të jeni krenar pasi i keni treguar botës se keni potencial dhe me punë mund të arrihen suksese të mëdha. Shpresoj që këto rezultate do të shënojnë rritje edhe më të madhe në vazhdim”, ka thënë Vizer. Në shenjë nderimi, një rrugë në afërsi të Qendrës është emëruar "Marius Vizeri".

Trajneri Driton Kuka edhe xhudistet janë nderuar çmimin më të lartë nga Federata e Xhudos Ndërkombëtare.

Tutje, Kryetari i Federatës së Xhudos të Kosovës (FXHK), Agron Kuka, ka thënë se janë trajnerët dhe sportistët e xhudos që kanë përfaqësuar me dinjitet të madh vendin, duke i sjellë dy medalje të arta.

“Tani e tutje do të stërvitemi në kushte dinjitoze. Uroj që nga kjo palestër të dalin edhe shumë kampionë të rinj."

{gallery}