Sport

IJF: Distria shfaqet atëherë kur duhet, Laura prej më të mirave në kategori

Xhudistët elitarë janë duke u përgatitur për garat e para të vitit, ndërsa në mendje e kanë qëllimin e madh – Olimpiadën. Top-xhudistët e Kosovës nuk dallojnë në këtë mes. Ata po përgatiten për garat e shumta që i presin, ndërsa fokusin e kanë që kulmin e formës ta arrijnë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Gara e parë serioze e vitit do të jetë ajo Grand Prix në Portugali që mbahet prej 26 deri më 28 janar. Kosovën në Portugali e prezantojnë Loriana Kuka dhe Shpati Zekaj. Xhudistët e tjerë elitarë, duke përfshirë kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, por edhe Laura Fazliun e Akil Gjakovën, startojnë prej Grand Slamit të Parisit, që mbahet prej 2 deri më 4 shkurt.

Në një analizë që Federata Ndërkombëtare e Xhudos ua ka bërë xhudistëve që janë në pozitat e para në ranglistën botërore, fokusi ishte edhe te Distria e Laura. Distria është e para në ranglistë në kategorinë deri 52 kg.

IJF ka shkruar se Distria është para francezes Amandine Buchard në renditje, porse Buchard e mposhti kosovaren në Masterin e vitit të kaluar.

“Distria nuk ishte mësuar me medalje të argjendta, por kjo ishte ngjyra e saj në vitin 2023. Nuk ka fituar asnjë ngjarje që nga Parisi, në shkurtin e kaluar. Megjithatë Distria kishte bilanc impresiv dhe të gjithë ne e dimë që ajo ia del kur ka vërtet rëndësi. Do të jetë vështirë që ajo të mposhtet në Paris”, ka shkruar IJF.

Megjithatë xhudistja kryesore në 52 kg vazhdon të jetë japonezja Uta Abe, ndonëse ajo nuk është në pozitat kryesore në renditje. Kalimi i Abes është ndoshta sfida kryesore për Distrinë në vitin olimpik.

Laura Fazliu është e dyta në ranglistën e kategorisë deri 63 kilogramë. Më lart se Laura është vetëm kanadezja Catherine Beauchemin-Pinard.

“Laura Fazliu ka hapur rrugën e saj në kategori. Ka bërë emër për vete”, ka shkruar IJF.

Federata Ndërkombëtare ka thënë se xhudistet e tjera të Kosovës i kanë treguar Laurës se çka është e mundur të arrihet.

“Është 23-vjeçare, me sytë drejt sfidave të reja dhe e palëkundur në detyra. Deri në Masterin 2023 nuk kishte tituj të mëdhenj, ndonëse mori disa rezultate të rëndësishme. Ajo fitoi të artën në Masters dhe hyri në grupin e më të mirave të kategorisë deri 63 kg. Emri i Laurës mund të përmendet kur parashikohen medaljet olimpike për verën e ardhshme. Ajo do të jetë forcë e madhe në Paris, por asgjë nuk ka të garantuar. Kategoria është shumë e hapur”, ka shkruar IJF në analizën e liderëve të kategorive.

Kosova pritet të marrë pjesë me pesë xhudistë në “Parisi 2024”. Dhe të gjithë do të jenë kandidatë për medalje olimpike.