Sport

Igballi, anëtari i familjes Jashari që “lufton” për Kosovën në fushën e futbollit

“Armë” të fortë në fushën e futbollit, Igball Jashari, e ka këmbën e djathtë. Frymëzimin e merr prej krahut tjetër.

Igball Jashari në krahun e majtë ka bërë tatuazh Bashkim Jasharin, babin e tij dhe të mbijetuarin e sulmit që kishte ndodhur më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998 në Prekaz.

Bashkim Jashari është i biri i Rifat Jasharit, vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari.

Tatuazhin me figurën e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Igballi thotë se do ta mbajë me krenari tërë jetën.

“Tatuazh në krah e kam bërë babin tim, i cili ishte pjesë e luftës e cila është zhvilluar tek familja jonë me datat 5, 6 e 7 mars. Edhe pse në moshë të re, pas gjithë atyre vrasjeve babai im luftoi sërish dhe një vit e gjysmë pas çlirimit të Skenderajt babai im është kthyer sërish tek shtëpia në Prekaz. Kjo foto tregon që pas gjithë atyre vrasjeve sërish ajo shtëpi ka pasur zot shtëpie. Unë pasi u bëra 18-vjeçar vendosa që këtë fotografi ta mbaja në trupin tim dhe ta mbaja me krenari gjatë gjithë jetës”, ka thënë Igball Jashari në një bisedë për KOHËN.

Igballi është futbollist. Luan sulmues i krahut të djathtë. Është pjesë e klubit me më së shumti trofe të fituar në vend, Prishtinës.

Igballi thotë se 17 shkurti është ditë e veçantë për të dhe familjen e tij.

“Është datë e veçantë sepse të gjithë kemi luftuar që ne sot ta gëzojmë lirinë. Është derdhur shumë gjak dhe kjo ditë është shumë e vlefshme për mua dhe familjen time”, është shprehur Igball Jashari.

“Festa e 17 shkurtit na kujton të gjithë shqiptarëve sakrificën që kemi pasur ne si popull shqiptar dhe falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aleatëve tanë ne sot e gëzojmë lirinë dhe ua uroj të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen ditën e 17 shkurtit”, thotë futbollisti i Prishtinës dhe Kosovës U19.

18-vjeçari është pjesë e rregullt e Kosovës U19. Synimi i tij është që shpejt të bëhet lojtar i përfaqësueses A.

“Çdo lojtar e pret ftesën e Kosovës. Unë kam pasur rastin të jem pjesë e Kombëtareve U15, U17 dhe 19 të Kosovës. Me U17 dhe U19 është hera e dytë që kualifikohemi në raundin elitar dhe është një sukses i imi dhe një obligim shtesë për të punuar dhe mendoj se në një të ardhme të afërt të kaloj edhe në Kombëtaren A të Kosovës dhe të kualifikohemi në një Evropian apo Botëror. Kjo është ëndërr e imja”, ka theksuar futbollisti i familjes Jashari.

Ai për Kosovën U19 ka luajtur tri ndeshje. Pesë ndeshje i ka me Kosovën U17 dhe një me Kosovën U16.

“Ta përfaqësosh vendin tënd është një ndjenjë që nuk mund ta përshkruash me fjalë. Do të doja t’i porosisja të rinjtë të punojnë dhe kur të vijë ftesa e Kosovës të mos vetëkënaqen, pasi është një obligim shtesë për të vazhduar punën”, ka theksuar Jashari, i cili është i vetmi në familjen legjendare që luan futboll.

Ai gati në çdo ndeshje ka përkrahje të madhe nga familjarët, nga tribunat.

Jashari karrierën si lojtar e nisi moshën 6-vjeçare. E ka nisur te shkolla e futbollit “Drenica”, ndërsa më vonë iu bashkua shkollës së futbollit “Kurda”, ku qëndroi për katër vjet.

“Kam mësuar shumë nga trajneri Mehmet Kurda. Pas periudhës së mirë te Kurda, kam kaluar te shkolla e futbollit Prishtina”.

Ëndrra e tij është shumë larg Prishtinës.

“Si çdo lojtar tjetër edhe unë kam synim që të vazhdoj karrierën në ndonjë klub të madh evropian dhe ta bëj krenar popullin shqiptar dhe në veçanti familjen time që më ka përkrahur deri tash”.

Jashari ishte goxha aktiv në stërvitjen e Prishtinës të cilën ekipi i KOHËS e përcolli ditë më parë. Ai për Prishtinën ka luajtur në Superligë e po ashtu për Kupë të Kosovës. Pret të paraqitet edhe më shumë.

“Falënderoj trajnerin dhe gjithë stafin e trajnerëve dhe bashkëlojtarët që më kanë përkrahur gjatë gjithë kohës dhe po ashtu 'Plisat' që i kemi pranë. Me punën time do të mundohem ta bind trajnerin që të më japë edhe më shumë hapësirë në të ardhmen”, ka thënë Jashari.

Më 17 shkurt, njëjtë si më 5, 6 e 7 mars kullat e familjes Jashari do të jenë të hapura në kujtim dhe nderim të heroizmit të familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Familja që dha shumë për vendin tani po nderohet edhe në fushën e futbollit.