Trajneri boshnjak, Abdullah Ibrakoviq, është optimist se do ta nisë me këmbë të mbarë aventurën e tij në krye të Prishtinës. Ibrakoviqi të mërkurën u zyrtarizua te Prishtina, duke e zëvendësuar Zekirija Ramadanin e larguar. Te kampionia në fuqi e Kosovës në futboll do të debutojë të premten. Ai do ta udhëheqë Prishtinën në ndeshjen hapëse të xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës kundër Dukagjinit, e cila luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe nis prej orës 13:00.
Elita e futbollit kosovar kthehet në “skenë” pas pauzës prej dy javësh shkaku i ndeshjeve të përfaqësueseve.
Ibrakoviqi ka thënë të enjten se pret reagim nga ekipi i tij, ndonëse e ka vlerësuar lart kundërshtarin, për të cilin insiston se e kanë analizuar mirë.
“Në ndeshjen time të parë te Prishtina pres reagimin e ekipit, pas rezultateve të fundit. Krahas reagimit, pres edhe përkushtim të madh gjatë tërë ndeshjes”, ka thënë Ibrakoviq. “Ne e kemi analizuar kundërshtarin dhe mendoj se do të jetë një ndeshje interesante, por edhe shumë e vështirë. Ka lojtarë të mirë dhe ne do të japim maksimumin për t’i mposhtur”.
Prishtina ndaj Dukagjinit paraqitet pas barazimit 1:1 që e arriti në udhëtim te Gjilani në xhiron e kaluar. Renditet në pozitën e gjashtë me 17 pikë, shtatë më pak se Ballkani që është lider. Në ndeshjen e parë të këtij edicioni, që u luajt në Klinë, skuadra e Prishtinës e ka mposhtur 2:1 Dukagjinin.
Dukagjini këtë edicion është rikthyer në Superligë, por nuk ka pasur rezultate të mira. Ka tubuar vetëm 14 pikë deri më tani dhe zë vendin e tetë në klasifikim. Për dallim prej Prishtinës që mori vetëm një pikë, skuadra e Dukagjinit në xhiron e kaluar triumfoi 1:0 në shtëpi ndaj Feronikelit.
Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, ka insistuar se skuadra e tij ndaj Prishtinës do të futet vetëm për fitore. Kjo ndeshje, sipas Dallkut, është e rëndësishme për të dyja ekipet dhe për këtë arsye është i bindur se të pranishmit në stadium do të mund të shohin një lojë shumë të mirë.
“Është një ndeshje e rëndësishme për të dyja ekipet, por ne si gjithmonë futemi në fushë për ta bërë më të mirën, që do të thotë luajmë për fitore. Kështu që synimi i njëjtë do të jetë edhe kundër Prishtinës, që është një ekip i fortë. Besoj se do të kemi një paraqitje të mirë. Kur e them këtë bazohem në ndeshjen e parë që e patëm ndaj Prishtinës, në të cilën dominuam plotësisht, por gabimet na kushtuan me humbje. Tani pres që të mos i bëjmë ato gabime dhe mund të them se jemi plotësisht gati t’i kthehemi fuqishëm kampionatit pas pushimit që patëm”, është shprehur Dallku.