Sport

Ibrakoviqi i lumtur me fitoren, mbron lojtarët

Trajneri i Prishtinës, Abdullah Ibrakoviq, e ka shënuar fitoren e dytë rresht në elitën e futbollit të Kosovës.

Të udhëhequrit e tij, të shtunën fituan ndaj Ulpianës me rezultatin 2:0, dhe pas ndeshjes u nda i kënaqur me paraqitjen, teksa ka mbrojtur futbollistët e tij duke thënë se ndërrimi i fushave po u pamundëson atyre të shfaqin më të mirën.

“Duhet ta pranojmë që kemi problem me ndërrime të fushave, nuk mund t’i luajmë dy ndeshje rresht në të njëjtin stadium. Përsëri kemi luajtur në një stadium të ri dhe për lojtarët është e vështirë të adaptohen. Sa i përket ndeshjes, në pjesën e dytë kemi qenë më agresiv, fituam duelet dhe kemi qenë më të rrezikshëm në fazën e sulmit”, ka thënë Ibrakoviq fillimisht.

Ai foli edhe për takimin që Prishtina do ta luajë në çerekfinale të Kupës me Ballkanin.

“Sigurisht se do të luajmë kundër një kundërshtari të fortë që është lider në ligë. Do të japim maksimumin. Nëse ne e japim më të mirën, edhe për ata do të jetë shumë e vështirë”, theksoi Ibrakoviq.