Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina, është ndarë të premten me dy ish-reprezentues, Besart Berishën e Kristi Vangjelin. Të tjera largime mund të ketë nga Prishtina, që me ardhjen e trajnerit boshnjak, Abdullah Ibrakoviq, ka ndryshuar qasje. Ibrakoviq në një intervistë për KOHËN ka lënë të kuptohet se më shumë do të besohet te lojtarët e rinj, pa hequr dorë nga synimet për rezultate sportive.
Së fundi kjo nuk ka qenë praktikë. Prishtina ishte mbushur me lojtarë me përvojë, mbi të tridhjetat, dhe jo të gjithë kishin dhënë kontributin e pritur. Më së shumti ishte pritur nga Besart Berisha, legjendë e futbollit në Australi. Por ish-reprezentuesi i Shqipërisë dhe Kosovës largohet nga skuadra e kaltër pa lënë ndonjë gjurmë. Për shkak të lëndimeve, Berisha 36-vjeçar është aktivizuar vetëm në tri takime kampionale, por pa mundur të shfaqë ndonjë gjë nga potenciali. Pak më shumë ka luajtur Kristi Vangjeli, një tjetër ish-reprezentues i Shqipërisë. Por edhe paraqitjet e tij ishin larg pritshmërive. Edhe Vangjeli ka pasur telashe me lëndime, ndërsa ky mbrojtës i majtë i kishte dhjetë paraqitje kampionale.
Trajneri Ibrakoviq ka startuar me një barazim e tri fitore te Prishtina. Ai thotë se rezultatet e deritashme janë në rregull, ndërsa ka theksuar se po bëhet punë për të ndryshuar mënyrën e lojës. Boshnjaku, që erdhi nga kategoria e dytë austriake, ka thënë se dy ndeshjet e fundit të stinorit vjeshtor do të përcaktojnë nëse do të ketë largime të tjera.
Prishtina të dielën e pret Dritën, në derbin e xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ndërsa në xhiron e 18-të, Prishtina luan në udhëtim ndaj Llapit. Pra, dy sfidat e ardhshme janë shumë më të vështira se katër ndeshjet e kaluara të Prishtinës.
Ibrakoviq ka konfirmuar ndarjen me Berishën dhe Vangjelin.
“Kjo është zyrtarizuar sot, është arritur marrëveshja për t’i ndarë rrugët me këta dy lojtarë. Është vendim që tregon për idetë që i kemi për të ardhmen. Të dy janë lojtarë shumë të mirë, por ne kemi ide të tjera. Se a do të ketë largime të tjera do të vendoset pas dy ndeshjeve. Çdo gjë varet nga lojtarët. Ata do ta kenë rastin ta dëshmojnë kualitetin e tyre”, ka thënë Ibrakoviq për KOHËN.
Ai ka thënë se Prishtina po e ndërron mënyrën e lojës.
“Ndryshimi i mënyrës së lojës nënkupton se na duhen lojtarë të tjerë, që i përshtaten lojës që ne e kërkojmë. Kjo do të thotë edhe që lojtarët duhet të përshtaten me mënyrën tonë të lojës”, ka shtuar Ibrakoviq.
Ibrakoviq erdhi në vend të Zekirija Ramadanit. Ibrakoviq ka punuar gjatë në futbollin boshnjak e po ashtu në Austri. Thotë se te Prishtina e kanë pritur mirë, ndërsa vlerëson edhe nivelin e futbollit kosovar.
Por, insiston që Prishtina ta ndryshojë mënyrën e lojës.
“Rezultatet e deritashme janë në rregull, por duhet të bëjmë ndryshime në lojë. Po punojmë shumë për të realizuar këtë. Duhet të jemi më agresivë, më luftarakë. Ndaj Ulpianës kemi dëshmuar që mund ta bëjmë këtë. Sinjalet ishin të mira. Tani na presin dy ndeshje të vështira dhe në to do të shohim nëse jemi në rrugën e duhur”, ka theksuar Ibrakoviq.
51-vjeçari në Austri ka punuar te skuadra që kanë promovuar lojtarët e rinj. Së fundi drejtoi skuadër të kategorisë së dytë austriake. Prishtina duket se ka marrë për bazë modelin e punës së Ibrakoviqit, kur vendosi për trajnerin e ri.
“Edhe në Austri, por edhe te Sarajeva dhe te klubet e tjera në Bosnjë, kemi funksionuar kështu, duke promovuar lojtarët e rinj. Në vendet e kësaj pjese të Evropës kjo është e vetmja mënyrë e mundshme. Rezultatet sportive janë të rëndësishme për të dalë në Evropë dhe për të siguruar të hyrat. Por, të hyra të tjera sigurohen nga zhvillimi dhe shitja e lojtarëve të rinj e të talentuar. Ky është synimi ynë. Pra jemi të orientuar në dy gjëra, të kemi rezultate sportive dhe në të njëjtën kohë të nxjerrim sa më shumë lojtarë të rinj për tregun evropian”, ka theksuar Ibrakoviq.
Në afatin e fundit kalimtar, Prishtina, si pak klube të tjera, u orientua në angazhimin e lojtarëve me përvojë. Por, rezultatet dëshmuan që politika e klubit nuk ishte shumë e suksesshme. Dhe kjo solli ndarjen me Ramadanin dhe ardhjen e Ibrakoviqit. Me Ibrakoviqin, priten ndryshime edhe më të mëdha.