Sport

Ibrahimi, futbollisti i parë shqiptar me kontratë profesionale te Leipzigu

Prishtinë, 28 shkurt – Futbollisti me prejardhje nga Kosova, Mehmet Ibrahimi, ka nënshkruar kontratë me klubin gjerman RB Leipzig.

18-vjeçari, që ka firmosur kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2022, është bërë shqiptari i parë me kontratë profesionale me RB Leipzigun, klubi që po rritet me hapa të mëdhenj.

I lindur dhe rritur në Troisdorf, në afërsi të Koelnit, Ibrahimi pas paraqitjeve të mira që ka pasur me Koelnin, klub të cilit iu bashkua në moshën 8-vjeçare, kishte rënë në sy të Leipzigut.

Klubi gjerman RB Leipzig e mori në Akademi në vitin 2017.

Ndërkohë familja e Mehmet Ibrahimit është nga Vinarci i Mitrovicës. Familja Ibrahimi ka migruar në Gjermani shumë kohë më parë .

KOHËN, Ibrahimi tregon se si ia doli të bëhet pjesë e Leipzigut. Ai flet edhe për kontratën që nënshkroi të premten, e cila e ka bërë shumë krenar.

“Familja ime është nga fshati Vinarc i Mitrovicës. Kurse unë kam lindur në Troisdorf të Gjermanisë, vend afër Koelnit. Kam filluar të luaj si i ri në klubin SV-Rot-Weiss-Hutte Troisdorf. Në moshën 8-vjeçare kam kaluar te Koelni dhe kam luajtur për këtë ekip deri në vitin 2017. Pastaj kam kaluar në Leipzig. Jo vetëm Leipzigu, por të gjitha klubet i përcjellin lojtarët e rinj dhe unë kam rënë në sy të Leipzigut. Që nga viti 2017 jetoj në Leipzig dhe kam luajtur për grupmoshat e reja, tani jam te U19. Të premten kam nënshkruar kontratë profesionale dhe për këtë jam shumë i lumtur. Ishte moment i veçantë”, tha futbollisti Ibrahimi, i cili luan në pozitën e mesfushorit.

Ani pse luan për U19 të Leipzigut, i riu kosovar stërvitet herë pas here me ekipin e parë të klubit gjerman. Stërvitjet me trajnerin Julian Nagelsmann i cilëson shumë të veçanta.

“Në sezonin e fundit ishim kandidatë për të fituar titullin me grupmoshën U19 të Leipizgut, por shkaku i pandemisë kampionati është ndërprerë. Kam stërvitur me ekipin e parë të Leipzigut disa herë, madje ka qenë një periudhë që kam stërvitur dy muaj me ekipin e parë. Për mua si lojtar i ri është diçka shumë e veçantë që të jem nën urdhrat e trajnerit Julian Nagelsmann. Ai është trajner i shquar me stërvitje të veçanta. Po ashtu, është kënaqësi të stërvitem me lojtarë të mëdhenj që ka Leipzigu. Kjo gjë më jep motiv dhe më bënë shumë të fortë”, theksoi ai.

Ibrahimi është i përkushtuar që të punojë dhe të mos ndalet. Në një të ardhmen të afërt synon të luajë për ekipin e parë të Leizpigut.

“Sigurisht, ëndrra ime është që të luaj sa më shumë dhe për klube të mëdha. E kam bërë një hap të madh duke nënshkruar kontratë me Leipzigun. Besimin që ma ka dhënë klubi unë do të mundohem ta shpërblejë Këtë sezon mund të jetë e vështirë, por nga edicioni tjetër besoj që mund të jap kontributin tim për ekipin e parë. Por dua të them diçka, unë mund të luaj edhe një vit e katër muaj për të rinjtë e Leipzigut, pasi mosha ma lejon”, shtoi Ibrahimi.

Falë paraqitjeve të mira me të rinjtë e Leipzigut, Ibrahimi vazhdimisht ka qenë pjesë e grupmoshave të reja të Gjermanisë. Ai për momentin është i përqendruar që të punojë sa më shumë, e pastaj të vendosë për përfaqësuese.

“Falë ndeshjeve që kam pasur me Leipzigun, kam qenë i ftuar vazhdimisht nga grupmoshat e reja të Gjermanisë. Për mua si lojtari i ri, më kanë ndihmuar shumë ndeshjet që kam pasur me Gjermaninë. Jam ende i ri dhe do të punoj shumë. Të ardhmes nuk i dihet. Prindërit i kam nga Kosova dhe kuptohet që edhe unë e dua vendin tim, por edhe Gjermaninë, vend ku jam rritur”, përfundoi Ibrahimi.

Ibrahimi menaxhohet nga menaxheri me emër në Gjermani, Lami Ejupi. Menaxheri Ejupi thotë se është shumë krenar me të arriturat e Mehmet Ibrahimit deri tani.

“Unë jam tepër krenar me Mehmet Ibrahimin. Mund të them se ma ka zdritur fytyrën. Rezultatet e tij janë në terren dhe unë si menaxher nuk mund të bëj asgjë pa punuar ai në fushë. Ai e ka bërë këtë dhe ka marrë kontratë profesionale te Leipzigu. Mehmetit i mbetet punë e madhe për t’u rritur si lojtar”, u shpreh Ejupi për KOHËN.

Në edicionin e fundit, Ibrahimi ka luajtur pesë ndeshje me ekipin U19 të Leipzigut dhe ka shënuar tre gola.

Ndërkaq, për U16 të Gjermanisë ka shënuar dy gola në shtatë ndeshje. Ka disa paraqitje edhe për Gjermaninë U17 dhe U18.

Image