Sport

I shqetësuar për mungesë të demokracisë, jep dorëheqje anëtari i rëndësishëm i KE të FFK-së

Flamur Bunjaku ka qenë në forma të ndryshme pjesë e zhvillimeve në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Që prej qershorit të vitit 2012, Bunjaku, që jeton në Zuerich të Zvicrës, ka qenë pjesë e proceseve si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Por Bunjaku nuk është i kënaqur me zhvillimet aktuale në FFK, për çka të hënën nëpërmjet një letre ka njoftuar se largohet nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit.

Bunjaku në letër thotë se nuk është njoftuar rreth zhvillimeve as nga kolegët e Komitetit Ekzekutiv dhe as nga kryetari aktual, Agim Ademi. Thotë se nuk ka qenë aspak i informuar nga KE i FFK-së për zhvillimet që po ndodhin që prej publikimit të njoftimit për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të FFK-së. Zgjedhjet janë caktuar të mbahen më 6 prill. Pretendohet se me këtë vendim është shkelur Statuti i FFK-së.

Të dielën mbrëma është bërë publik një vendim i UEFA-s për ta dënuar Agim Ademin, kryetarin aktual të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ademi ishte mysafir në RTK dhe tha se nuk ka pasur ndonjë letër të kësaj natyre nga UEFA. Madje tha që nëse letra ekziston, atëherë ajo të bëhet publike. Pas deklaratës së tij, grupi opozitar ka bërë publike letrën.

Është Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s që kishte vendosur ta dënojë Agim Ademin.

Atij i ishte ndaluar marrja me futboll deri më 31 dhjetor të vitit 2022 për shkak të dënimit me burgim që i ishte shqiptuar në Kosovë. Vendimi mban datën 20 gusht 2020. Ndërkohë Ademi shmangu vuajtjen e dënimit, ndërsa rasti i tij u kthye në rigjykim. Dhe vendimi i UEFA-s u anulua.

Ademi ditë më parë u përball edhe me një situatë tjetër. Ai ishte në mbajtje për shkak të dyshimit për sulm fizik ndaj një zyrtari të FFK-së. E gjithë këto zhvillime nuk i kanë pëlqyer Bunjakut, që të hënën pasdite dha dorëheqje.

“Ka disa javë që me shqetësim e vëmendje të madhe po i ndjek zhvillimet në dhe për FFK-në. Pas të gjitha zhvillimeve të fundit dhe debateve të shumta në media, duke mos qenë i informuar nga KE-ja për asnjërën nga këto dhe duke mos dashur që të paragjykoj asnjë epilog dhe duke e pasur parasysh se angazhimi im në FFK qysh nga koha e Fadil Vokrrit e deri sot ishte komplet vullnetar dhe kontributdhënës, ju njoftoj se kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e anëtarit të KE të FFK-së. Vendimi im është i pakthyeshëm. Të gjithë atyre që shfaqën dëshirën për bashkëpunim me mua, faleminderit nga zemra. Futbollit kosovar i dëshiroj prosperitet dhe zhvillim. Federatës ditë më të mira dhe qasje fer e korrekte në cilindo proces”, shkruan në letrën e Bunjakut dërguar KE të FFK-së dhe kryetarit Agim Ademi.

Bunjaku edhe për KOHËN ka konfirmuar dorëheqjen. Madje ka shkuar më tej. Ai thotë se ka pritur që gjërat të zhvillohen në mënyrë më demokratike. Ai insiston se nuk dëshiron që emri i tij të përfshihet në çfarëdo zhvillimi negativ.

“Sot në rrethana të tjera kam pritur që gjërat të zhvillohen në mënyrë tjetër, më demokratike. Po ashtu duke qenë se nuk kam qenë i njoftuar për asgjë kohëve të fundit dhe për shkak që nuk dua që emri im të ndodhet në çfarëdo zhvillimi negativ, unë nuk dua të jem pjesë me FFK-në, me shpresën për ditë më të mira”, ka thënë Bunjaku të hënën për KOHËN.

Bunjaku ka qenë pjesë e KE të FFK-së në procesin e pranimit në UEFA dhe FIFA në vitin 2016. Thotë se e ka mbështetur maksimalisht ish-kryetarin e FFK-së, të ndjerin Fadil Vokrri dhe vetë FFK-në.

“Zhvillimet e fundit i kam parë me shumë shqetësim. Siç dhe mund ta dini, unë në Federatë jam angazhuar nga i ndjeri Fadil Vokrri nga data 3 qershor, viti 2012. Unë isha pranë Fadilit dhe FFK-së sa herë që ajo u kërkua nga unë dhe jo vetëm. Kisha fatin të jem prezent dhe të jap një grimcë kontributi në dy ngjarjet historike, pranimin në UEFA dhe FIFA. Angazhimi ka qenë kontributdhënës dhe vullnetar. Për këtë janë të njoftuar mirë të gjithë në FFK”, ka theksuar Bunjaku.

Komiteti Ekzekutiv është organ i rëndësishëm i Federatës së Futbollit të Kosovës. Pas Kuvendit është organi më i lartë.

Ka 13 anëtarë, në bazë të statutit, prej tyre tre nënkryetarë. Në krye të Komitetit është kryetari i FFK-së që zgjidhet në Kuvendin Zgjedhor nga delegatët.

Shtatë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv janë përfaqësues të rajoneve të Kosovës, Prishtinës, Pejës, Mitrovicës, Gjakovës, Ferizajt, Gjilanit dhe Prizrenit. Një nënkryetar është i komuniteteve, kurse tre anëtarë të KE-së emërohen nga kryetari.