Sport

I gjithë podiumi evropian garon në kampionatin e xhudos në Prishtinë

Hidayet Heydarov i Azerbajxhanit u shpall kampion evropian i xhudos për vitin 2023 në kategorinë deri 73 kilogramë. Spanjolli Salvador Cases fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa Akil Gjakova e Petru Pelivan i Moldavisë fituan medalje të bronzta.

Katërshja e podiumit evropian do të bashkohet në Prishtinë pas 11 ditësh. Më 16 dhjetor në kryeqendrën e Kosovës do të mbahet Kampionatin i Hapur Evropian. Është kjo ngjarje e re e Unionit Evropian të Xhudos, që dallon nga Kampionati i rregullt Evropian i xhudos.

Xhudistët pjesëmarrës do të garojnë në një kategori, atë deri 73 kilogramë. Mund të garojnë edhe xhudistët e kategorisë deri 60 kg dhe ata të kategorisë deri 66 kg. Por jo xhudistët me peshë më të madhe se 73 kg.

Ndërkohë xhudistet garojnë në kategorinë deri 57 kg. Do të ketë edhe xhudiste të kategorisë deri 52 kg, ndërsa të drejtë pjesëmarrjeje kanë edhe xhudistet e kategorisë deri 48 kg.

Shumica e xhudistëve që do të paraqiten në Kampionatin e Hapur Evropian do të jenë të kategorisë deri 73 kilogramë. Dhe do të jenë elita evropiane, më të mirët e momentit.

Azerbajxhanasi Heydarov vjen në Prishtinë për të artën dhe për çmimin e madh financiar.

Dy ditë më parë 26-vjeçari fitoi medaljen e artë në Grand Slamin në Tokio. Të artën e ka fituar edhe në Grand Slamin në Baku, në shtator.

Heydarov ka tri medalje të bronzta botërore dhe tre tituj të Evropës. Në ranglistën botërore është i pari.

Lasha Shavdatuashvili është tjetër emër i madh që vjen në Prishtinë. 31-vjeçari është nga Gjeorgjia dhe ka tri medalje olimpike. I artë ishte në Londër në vitin 2012, i argjendtë në Tokio në vitin 2021 dhe i bronztë në Rio në vitin 2016. Ka edhe shumë tituj të botës dhe të Evropës. Vlerësohet ikonë e xhudos.

Italiani Manuel Lombardo është bartësi i tretë. Në Tokio javën e kaluar ishte i treti. Në Botëror, në muajin maj, ishte i dyti.

Pelivani moldav është bartësi i katërt. Ai ka fituar medalje thuajse rregullisht këtë vit, duke përfshirë të bronztën në Evropian.

Pasojnë spanjolli Salvador Cases Roca, nënkampion evropian, pastaj gjermani Igor Wandtke dhe bullgari Mark Hristov.

Akil Gjakova është bartësi i tetë. Me medaljen e bronztë në Evropian, më 3 nëntor, Akili ka dëshmuar kthimin në formë, pas një krize që kishte. Në Grand Slamin në Abu Dabi, më 24 tetor, Gjakova ishte i dyti.

Deri më tani janë paraqitur 24 xhudistë. Numri pritet të rritet, ndërsa gara te xhudistët do të jetë e zjarrtë.

Kampionati i Hapur Evropian është ngjarja më e madhe e xhudos që mbahet në Kosovë. Është pjesë e programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”. Gara nuk është në momentin më të mirë të mundshëm, por shpërblimi financiar e bën shumë atraktive. Fondi i përgjithshëm shpërblyes është 300 mijë euro, si rrallë ndonjë garë tjetër e xhudos.

Kampioni dhe kampionia do të shpërblehen me nga 55 mijë euro. Pozita e dytë garanton 35 mijë euro, ndërsa vendi i tretë 20 mijë euro. Xhudistët dhe xhudistet që përfundojnë në pozitën e pestë do të shpërblehen me nga 10 mijë euro.

Evropiani i hapur në Prishtinë nuk do të zgjasë shumë, por xhudoja e shfaqur do të jetë elitare. Emrat e xhudistëve pjesëmarrës e garantojnë këtë.