Muhamet Hyseni beson fuqishëm se e ardhmja e tij në futboll është përtej kufijve të Kosovës. Të ardhmen e sheh në një klub me emër të madh në Evropë.
Besimin se Hyseni do të bëjë karrierë në ndonjë klub të madh evropian e ka edhe trajneri i tij te Llapi, Tahir Batatina.
“Në qershor besoj se do të kalojë në një superskuadër”, tha Batatina të hënën për KOHËN.
Batatina nuk zbulon se cilat janë skuadrat evropiane të interesuara për sulmuesin 22-vjeçar nga Podujeva. Por insiston se do të jetë transferimi më i mirë ndonjëherë nga Kosova.
“Do të jetë transferimi më i mirë në Evropë nga Kosova. Interesimi nuk mungon nga klubet evropiane”, ka shtuar Batatina.
Hyseni e di mirë se për të kaluar në ndonjë klub të madh evropian i duhet të vazhdojë me formë të lartë në Kosovë. Pra, të jetë lojtari më i dalluar në Superligë.
Hyseni ka bërë dallimin me gola të shënuar në nëntë xhirot e para. Ka shënuar shtatë gola dhe i prin listës së golashënuesve të Superligës.
“Fjalët e trajnerit janë motiv shtesë për mua dhe më ndihmojnë të rris vetëbesimin. Forma ime është ajo që do të përcaktoj shumëçka por natyrisht se fati do ta ketë rolin e vet dhe besoj se do të paraqitem në nivele të rëndësishme të futbollit evropian në të ardhmen afatmesme. Dhe, po, synoj të luaj në një klub me emër të rëndësishëm në Evropë dhe jo vetëm”, është shprehur Hyseni.
Hyseni nuk është i panjohur për skuadrat e Kosovës. Ai edhe në dy triumfet e Llapit në Kupë ka qenë vendimtar.
“Ia kam dhënë rastin kur ka qenë në moshë të re dhe ka qenë vendimtar në dy Kupat e fituara. Tash është momenti i tij t’i tregojë vlerat edhe në Superligë. Ai po kalon momentet më të mira të karrierës me klubin e zemrës”, ka thënë Batatina.
Atë që Batatina e thotë e konfirmon edhe sulmuesi Hyseni.
“Marrë parasysh nivelin e futbollit në të cilin luaj tani, përgjigjja është ‘Po, jam në formën më të mirë’. Nuk e kam përjetuar asnjëherë në karrierën time si profesionist”, ka thënë Hyseni, i cili kontribut të madh dha edhe për Feronikelin ’74 në Ligën e Parë. E ndihmoi të ngrihet në Superligë me 16 gola dhe gjashtë asistime. Te Llapi u kthye gjatë verës. Vendimin për t’u kthyer e mori pasi u bind me projektin e trajnerit Batatina dhe drejtorit sportiv, Mentor Zhdrella.
“Isha i bindur që zgjedhja ime ishte e duhura. Objektivat e prezantuara mund të përmbusheshin vetëm me punë të jashtëzakonshme dhe harmoni në ekip”, ka theksuar Hyseni.
Ai karrierën e nisi larg Podujevës. Hapat e parë i mori në shkollën e futbollit “Kurda”. Llapit iu bashkua si 17-vjeçar. Një periudhë e ka kaluar edhe te Malisheva para se t’i bashkohej Feronikelit. Ka qenë ndër të përzgjedhurit edhe në një kamp i mbajtur në Prishtinë nga skuadra e madhe italiane, Milan.
Në atë kamp krahas Hysenit ishte përzgjedhur edhe Edon Zhegrova. Zhegrova është pjesë e Lille në Ligue 1 të Francës.
“Përvoja më e mirë në karrierë jashtë skuadrës aktuale ishte te Feronikeli nën drejtimin e trajnerit Granit Begolli. Ka merita të jashtëzakonshme, pasi më ka nxjerrë më të mirën gjatë sezonit. Mundësinë për të shfaqur talentin dhe potencialin tim si futbollist e kam marrë nga dita e parë te Llapi nën drejtimin e trajnerit Tahir Batatina”, është shprehur Hyseni.
Batatina pret ndihmën e Hysenit edhe në ndeshjet e ardhshme. Edhe Hyseni premton se do ta japë maksimumin për ta ndihmuar Llapin drejt realizimit të objektivit – titullit të kampionit.
“Gjysma e golave të shënuar nga Llapi kanë emrin tim, por më duhet të theksoj se statistikat janë në rend të dytë për aq kohë sa arrijmë të fitojmë pikët maksimale. Caku im është të bëjë më të mirën për skuadrën duke ruajtur edhe formën ndeshje pas ndeshjeje”, është shprehur ai.
Hyseni nuk lëshohet shumë të flasë për të kaluarën, ndonëse thotë se ajo ka qenë me batica dhe zbatica. Preferon të flasë për të tashmen dhe atë që e pret në të ardhmen. Ai është i kënaqur me formën, por synon më shumë.
“Nuk kam dyshim që po vazhdova me punë intensive, suksesi do të jetë gjithnjë e më i madh dhe niveli i lojës dhe përfaqësimi ekipor do të jetë i rëndësishëm”, ka thënë Hyseni.
Hyseni ka luajtur tri ndeshje për gjeneratat e reja të Kosovës. Dy ndeshje i ka për Përfaqësuesen U19 dhe një për ekipin U17. Ai pret të luajë edhe për Përfaqësuesen “A” të Kosovës në një të ardhme të afërt.
“Gjithmonë jam munduar të bëj më të mirën për vendin tim me synimin se një ditë do të luaj për ekipin A të Kosovës. Përherë i gatshëm për të mësuar nga emra të mëdhenj të futbollit evropian që na përfaqësojnë te Kosova. Mbi të gjitha, i gatshëm për të dhënë maksimumin për Kosovën në cilindo nivel kualifikues”, ka thënë Hyseni.
Dyshim se Hyseni do t’i duhet Kosovës nuk ka trajneri Batatina. Llapi i tij është në vendin e dytë me 19 pikë nga nëntë ndeshje.