Sport

Hyseni me startin më të mirë në karrierë, premton befasi me Malishevën

Skuadra e Malishevës arriti fitoren e parë në Superligën e Kosovës në futboll. Të shtunën në Suharekë, malishevasit që këtë edicion për herë të parë po luajnë në elitën e futbollit kosovar, mposhtëm Ulpianën si mysafir me rezultatin 3:1. Pas një fitoreje dhe një barazimi, Malisheva ka katër pikë dhe renditet në pjesën e epërme të tabelës. Në dy ndeshje Malisheva ka shënuar katër gola dhe ka pranuar dy sosh. Tri nga katër golat e Malishevës i ka realizuar sulmuesi Hasan Hyseni. Prej tyre, Hyseni i shënoi dy ndaj Ulpianës. Ai iu bashkua Malishevës me vonesë, por ka arritur që të shndërrohet në lojtarin kryesor në ekip. Për KOHËN, Hyseni thotë se Malisheva është skuadra ku si lojtar e ka pasur startin më të mirë. Ai beson se mund të ketë paraqitje edhe më të mira deri në fund të sezonit, ku premton edhe më shumë gola. Natyrisht, thotë se golat e tij janë meritë e bashkëlojtarëve.

“Është e vërtetë që kam ardhur vonë te skuadra e Malishevës, por kam arritur që të përshtatem mjaftë mirë, falë edhe pritjes së mirë që më është bërë nga të gjithë në klub. Malisheva është skuadra ku unë e kam pasur startin më të mirë në karrierë si lojtar. Besoj që me punë dhe angazhim do të arrij që të kem paraqitje të mira gjatë gjithë kampionatit. E rëndësishme është që të arrijmë objektivat e klubit, pastaj vijnë sukseset individuale. Malisheva ka skuadër cilësore që i përshtatet stilit tim të lojës dhe bashkë mund të kemi suksese”, u shpreh Hyseni.

Në fakt, Hyseni është bërë lojtari i parë që shënon për Malishevën në Superligë. Ai realizoi në barazimin kundër Prishtinës që Malisheva e arriti në shtëpi 1:1, në ndeshjen e parë të sezonit 2021/22. Sipas 24-vjeçarit, me angazhim maksimal ia kanë dalë që t’i marrin katër pikë në start të kampionatit.

“Që nga fillimi kur iu bashkova Malishevës, kam qenë i fokusuar që të jap maksimumin për këtë ekip dhe kam pritur që të kemi një fillim të mbarë unë dhe skuadra. Me punë dhe angazhim maksimal kemi arritur një fitore e një barazim dhe besoj që është fillim i mbarë”, deklaroi sulmuesi nga Mitrovica.

Ai heziton të pranojë se është shndërruar në lider te skuadrës që drejtohet nga trajneri Arsim Thaqi. Në fakt, Hyseni e zbulon se ishte pikërisht trajneri Thaqi, ai që e ka bindur t’i bashkohet Malishevës.

“Fillimi i mbarë besoj që do të më ndihmojë edhe në ndeshjet e radhës. Sa i përket liderit, nuk e konsideroj veten si lider, pasi çelësi i suksesit është tek ekipi, pra te kolektivi. Unë erdha te Malisheva me insistimin e trajnerit Arsim Thaqi, të cilin e falënderoj për besimin e dhënë. Do të jap maksimumin për të arritur synimet që ka klubi”, tha ai.

Hyseni beson se Malisheva mund të jetë befasia e këtij sezoni në Superligën e Kosovës. Mirëpo, insiston se fokusi është që fillimisht të sigurohet mbetja në elitë edhe për sezonin e ri.

“Synimi i Malishevës që është të mbetet pjesë e Superligës edhe për edicionin tjetër. Nëse i marrim ndeshjet një pas një dhe me kujdes, besoj që mund të jemi befasia më e këndshme e kampionatit”, përfundoi Hyseni.

Në edicion e kaluar, Hasan Hyseni ishte pjesë e skuadrës nga Prizreni, A&N që bënë gara në Ligën e Parë të Kosovës në futboll, Grupi A. Si lojtar, Hyseni është rritur te Trepça ’89, ekip me të cilin e ka fituar titullin e kampionit dhe Superkupën e Kosovës në vitin 2017. Për gjashtë muaj ka luajtur edhe te Trepça, skuadër më të cilën kishte shkëlqyer. Në Superligë, Hyseni e ka veshur edhe fanellën e Drenicës. Aktualisht, Hyseni së bashku me Ermal Krasniqin e Ballkanit, janë shënuesit më i mirë në elitën e futbollit kosovar pas dy xhirove, me nga tri gola të realizuar.