Sport

Hungaria ndihmon zhvillimin e teqballit në Kosovë

Qeveria e Hungarisë në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Teqballit ia kanë dhuruar Kosovës dy tavolina të këtij sporti. Donacioni është bërë të enjten nëpërmjet Ambasadës hungareze në Prishtinë.

Një tavolinë do të mbetet në Prishtinë, kurse një tjetër do të dërgohet në Prizren. Teqballi është sport i ri në Kosovë. Është sport shumë atraktiv me elemente të dy sporteve të njohura në vend.

Luhet me top të futbollit në një tavolinë të lakuar, duke kombinuar elemente të futbollit dhe pingpongut. Lojtarët mund të godasin topin e futbollit me çdo pjesë të trupit, përveç krahëve dhe duarve. Luhet individualisht dhe në çifte, ndërsa është një formë pingpongu me top të madh, ku përfshihen elemente teknike të futbollit.

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Jozsef Bencze, beson se brenda një periudhe të shkurtër ky sport do të jetë shumë i popullarizuar.

“Më lejoni ta përgëzoj Kosovën për dy medaljet e arta olimpike. Teqballi është një sport shumë i ri që për herë të parë ka filluar të luhet në Hungari dhe për këtë jam shumë krenar. Ne duhet ta shtyjmë përpara këtë sport, jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë Evropën dhe vendet e tjera. Shpresoj që ky sport atraktiv të jetë shumë i popullarizuar këtu dhe shpresoj që do të jetë pjesë e Lojërave Olimpike në të ardhmen”, tha Bencze.

Ndërkaq sekretari i Federatës Ndërkombëtare të Teqballit, Marius Vizzer Junior, premtoi se shumë shpejt do të ketë edhe një donacion tjetër për Federatën kosovare.

“Është sport i ri dhe është disiplinë zyrtare në Lojërat Evropiane të vitit 2023 dhe Kosova do t’i ketë përfaqësuesit atje. Mendoj që është koha e duhur për këtë. Dua të bëj të ditur se Federata Ndërkombëtare e Teqballit do të bëjë edhe një donacion tjetër me tavolina dhe pajisje të tjera të teqballit. Pas xhudos, shpresoj që Kosova të marrë medalje edhe në teqball”, u shpreh Vizer JR.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës, Fitim Rexha, dhe zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani, të cilët i falënderuan Qeverinë hungareze dhe Federatën Ndërkombëtare të Teqballit për donacionin.

Në Kosovë, sipas zyrtarëve, aktualisht janë pesë klube të teqballit që e zhvillojnë aktivitetin.

Kryetari i Federatës së këtij sporti në vend, Bashkim Hasani, thotë se në Kosovë aktualisht janë pesë tabela të teqballit. Ai pret mbështetje nga shteti për zhvillimin e mëtejmë të sportit atraktiv.

“Është sport i ri në Kosovë. Ne që nga viti i kaluar e kemi themeluar edhe Federatën. Kemi marrë donacion tri tavolina më herët, kurse me këto sot që i kemi marrë, tani i kemi pesë tavolina. Janë pesë klube në Kosovë që zhvillojnë aktivitet, kurse edhe dy klube janë në formim e sipër. Ne presim që ky sport të rritet dhe presim edhe ndihmën e Ministrisë së Sportit, ku kemi aplikuar për licencim, si dhe do të shohim edhe përmes ligjit të sponsorizimit”, tha Hasani.

Lojtari i teqballit, Adrien Uka, po e përfaqëson Kosovën në turne të ndryshëm. Ai aktivitetin e kryen në Francë dhe renditet i 58-i në ranglistën botërore.

“Është sport shumë i mirë për ata që luajnë futboll. Është sport ku kërkohen teknikë dhe taktikë. Luhet individual dhe në çifte. Unë e përfaqësoj Kosovën edhe pse jam pjesë e një klubi në Francë. Kam marrë pjesë në disa turne dhe do të marr pjesë edhe në disa të tjerë. Jam në vendin e 58-të aktualisht në botë”, u shpreh Uka.

fund të ceremonisë, që u mbajt para Pallatit të Rinisë në Prishtinë, u ndanë dhurata. Sporti i teqballit është luajtur për herë të parë në Hungari.