Përfaqësueset U19 të Kosovës në volejboll i kanë zhvilluar të enjten ndeshjet e radhës në kuadër të Kampionateve Ballkanike. Si volejbollistët ashtu edhe volejbollistet i kanë pësuar humbjet e reja.
Në Tiranë, volejbollistët e Kosovës U19 pësuan humbje nga Moldavia. Të rinjtë e Kosovës humbën 3:0 në sete.
Kosova e nisi mirë ndeshjen dhe ishte në epërsi për kohë të gjatë. Por Moldavia e mbylli më mirë setin e parë duke e fituar 25:23. Në setin e dytë moldavët dominuan, duke fituar 25:14. Në setin e tretë sërish Kosova shfaqi lojë të mirë. Ishte vazhdimisht në epërsi. Ishte në epërsi 21:17, por më pas Moldavia shënoi seri pozitive dhe doli para 23:21. Në fund fitoi 25:22.
Kosova U19 e kishte humbur 3:0 edhe duelin e parë ndaj Turqisë. Ndaj turqve nuk i është afruar fitores në asnjërin set. Tani volejbollistët e Kosovës i presin ndeshjet për plasman.
Ndërkohë volejbollistet e Kosovës U19 e kanë humbur të enjten ndeshjen për plasman përfundimtar. Në Sofje të Bullgarisë, volejbollistet e reja të Kosovës pësuan 3:0 nga Rumania. Në fazën grupore, Kosova U19 ishte e fundit në grupin A, ndërsa Rumania U19 e fundit në grupin B. Pra Kosova e përfundoi Ballkanikun në vendin e fundit, të gjashtë.
Setin e parë Rumania e fitoi ngushtë, 25:22. Në setin e dytë rumunet ishin dominuese duke fituar 25:14. Ndërkohë seti i tretë ishte i barabartë, ndërsa lojtaret e Kosovës u shfaqën dukshëm më mirë. Setin e tretë Rumania e fitoi me rezultat 27:25.
Në fazën grupore, volejbollistet e Kosovës kishin humbur 3:0 nga Mali i Zi dhe nga Bullgaria. Kampionatin Ballkanik e përfunduan pa set të fituar. Natyrisht, përvoja e fituar në këto Kampionate Ballkanike është e domosdoshme për volejbollistët e rinj në tentim për ngritje të nivelit.