Sport

Hoxha thotë se ende nuk ka vendosur për përfaqësuese

Sulmuesi i krahut, Arbër Hoxha, foli të mërkurën për një medium kroat dhe tha se dëshira e tij është të paraqitet me Shqipërinë në Evropianin e këtij viti. Por pa kaluar shumë kohë nga intervista dhënë për sajtin kroat “Germanijak”, Hoxha për KOHËN tha se ende nuk e ka definuar të ardhmen e tij se për cilin shtet do të paraqitet, Shqipërinë apo Kosovën.

Ai tha se ëndrra e tij për të qenë pjesë e Dinamo Zagrebit është realizuar.

“Nuk e kam definuar ende atë pjesë. Pikësynimi im ka qenë kalimi te Dinamo dhe ia arrita. Çka më mbetet është të punoj dhe të angazhohem maksimalisht. Sukseset do të vijnë”, ka thënë Hoxha.

25-vjeçari te Dinamo kaloi të martën nga Slaven Belupo, ekipi tjetër kroat.

Hoxha ka bërë të ditur se nuk ka pasur asnjë kontakt me selektorin e Shqipërisë, brazilianin Sylvinho.

“Nuk kam pasur asnjë kontakt me Sylvinhon”, ka shtuar Hoxha.

Hoxha ka tri paraqitje për Kosovën në miqësore, ndërsa vitin e kaluar u pajis me pasaportë të Shqipërisë. Për Kosovën kishte luajtur ndaj Suedisë më 12 janar të vitit 2020 e më pas ndaj Guinesë dhe Gambisë në qershor të vitit 2021. Prej atëherë nuk është ftuar.

Se nuk ishte ftuar e tha të mërkurën vetë Hoxha.

“Po, Kosova nuk më ka ftuar asnjëherë. Shqipëria më ka thirrur dhe më ka dhënë pasaportën. Besoj se së shpejti do të luaj për Shqipërinë. Shpresoj se do të shkoj në Evropian dhe do të luaj ndaj Kroacisë”, tha Hoxha të mërkurën për sajtin kroat.

Në fakt, te Shqipëria konkurrenca është shumë e madhe. Nëse Hoxha vendos të luajë për Shqipërinë, do të ishte tjetër humbje për përfaqësuesen e Kosovës.

Hoxha në Kroaci ka luajtur edhe për Lokomotivën, ndërkohë në Kosovë ka qenë pjesë e Ballkanit, Prishtinës dhe Besës.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë për KOHËN se të mërkurën ka zhvilluar një bisedë telefonike me Hoxhën. Por insiston se nuk kanë biseduar për të ardhmen e tij sa i përket përfaqësueses.

“Kisha një bisedë normale me Arbër Hoxhën. E urova për kalimin në Dinamo dhe e njoftova për agjendën e marsit. Nuk biseduam për lajmet që kanë qarkulluar se çka dhe ku do të jetë”, ka thënë Ademi për KOHËN.

Ademi ka bërë të ditur se në mars Kosova do të zhvillojë ndeshje miqësore. Po ashtu, ka njoftuar se para se të caktohet selektori i ri nuk do të vendosin se cilën përfaqësuese do ta kenë për kundërshtare. Ka insistuar gjithashtu se vendimin për lojtarët do ta marrë selektori i ri.