Sport

Hijeshia e sportit

Gazetari mitrovicas, Urall Boshnjaku, thotë se qyteti i tij jeton e frymon me basketbollin. Dhe vlerësimet e rrëfimin e tij zgjedh ta ndajë para palestrës që mban emrin Minatori, në nderim të minatorëve që do të dridhnin themelet e Jugosllavisë në fund të viteve tetëdhjetë kur paralajmëruan se Serbia e donte ish-federatën si Serbi të madhe. Sot, palestra e xehetarëve është kthyer në arenë gare e feste.

Veshur me fanellën e motër Tuanës, filloriste, Boshnjaku përmbledh kujtimet dhe dashurinë e gjyshit për basketbollin.

Sivjet, është fuqizuar edhe më shumë lidhja e mitrovicasve për klubin e tyre të zemrës, Trepça, që prin në serinë e finaleve të play offit me 2 me 1 me ndeshje ndaj Pejës. Ishte viti 2012 kur minatorët për herë të fundit fituan titullin e kampionit. 

Pjesë e ekipit të fundit kampion ishte edhe nënkryetari aktual i Komunës së Mitrovicës së Jugut, 29-vjeçari, Arian Tahiri, i cili para finales së tretë të së enjtes, ka veshur kastile xhemper me ngjyrat e skuadrës që dikur ia djersiti fanellën.

Trepça ka hapur vjet fan-shopin e parë zyrtar, ku tifozët i blejnë rekuizitat e klubit të shpirtit. Me fanellat e baskebollistëve të tyre, sidomos të mitrovicasit Drilon Hajrizi, mund të shëtiten krenueshëm edhe nëpër qytet. 

Interesimi i madh i shikuesve dhe kthimi i fuqishëm i Trepçës në luftën për titull ka bërë që nga diaspora të vijnë mërgimtarët mitrovicas për ta shikuar edhe një ndeshje të vetme.

Ai dhe Adnan Musa – Naki, ish-kryetar i tifozerisë “Torcida” thonë se pjesëmarrja e Trepçës në play off i ka mobilizuar edhe klubet e tjera.

Interesimi i jashtëzakonshëm i mitrovicasve për të siguruar një biletë ka rrokur vëmendjen e mbarë Kosovës, duke ndikuar kështu në ngritje të shikueshmërisë së play offit edhe nëpërmjet ekraneve televizive.

Por Federata e Basketbollit e Kosovës, pas disa incidenteve para fazës finale të kampionatit, ka marrë vendim që ndeshjet të luhen pa tifozët mysafirë.

Megjithatë në qytetin e ndarë në dysh e që vëmendjen e madhe kombëtare e ndërkombëtare e rrok më shumë për shkak të tensioneve politike të shkaktuara nga serbët e veriut, ndeshjet e basketbollit përbëjnë më shumë se sfidë sportive për fitore në palestër.

Nënkryetari Tahiri thotë se pavarësisht sfidave ekonomike e politike të qytetarëve, ditët e ndeshjeve të Trepçës ia ndryshojnë humorin të gjithë mitrovicasve.

Ai thotë se Mitrovicës i duhet ndihma e Qeverisë qendrore për ndërtimin e një palestre që do t’u bënte vend të gjithë tifozëve të Trepçës.

Xehetarët janë të bindur se sonte ose të enjten do ta lartësojnë trofeun e kampionit.

Por edhe nëse nuk do t’ia shtojnë edhe një trofe vitrinës së tyre në palestrën “Minatori”, tifozët tashmë janë krenarë që ia kanë shtuar shkëlqimin basketbollit të Kosovës.