Sport

Heshtja e pretendentëve për titull

Ka një javë që dy skuadrat pretendente për titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll i kanë ndalur prononcimet nëpër media. Drita dhe Ballkani kanë marrë vendim që mos të japin asnjë deklaratë, ndërsa ndalesa vlen për drejtues të klubeve, trajnerë dhe lojtarë. Madje, nuk po japin deklarata as tifozët e Dritës – tifogrupi “Intelektualët”. Të dyja klubet po arsyetohen se duan të fokusohen në ndeshjet e mbetura të këtij edicioni, duke kërkuar që të respektohet vendimi që e kanë marrë. Sipas vlerësimit të klubeve, deklaratat publike mund të ndikojnë në këtë qëllim. Deri në fund të sezonit 2019/20 në Superligën e Kosovës kanë mbetur edhe tri xhiro të pazhvilluara, të cilat edhe do të jenë vendimtare për titullin e kampionit. Drita e kryeson tabelën me 65 pikë të tubuara, tri më shumë se Ballkani që renditet në pozitën e dytë. Ndërkohë, vendin e tretë dhe të katërt e ndajnë Gjilani (61) dhe Prishtina (58), që tashmë është dorëzuar në garën për titull. Për dallim prej Dritës që po e kërkon titullin e tretë paslufte, Ballkani është në kërkim të titullit të parë të kampionit në histori të klubit. Drita herën e fundit është shpallur kampione në edicionin 2018/19.

“Kemi marrë vendim që të ketë heshtje totale në klubin tonë për një kohë të pacaktuar. Këtë e kemi bërë vetëm që të fokusohemi totalisht në futboll në ndeshjet e fundit të këtij edicioni”, ishte i shkurtër trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi.

Ballkanin në këto tri ndeshjet e fundit e presin tri finale pas 30 ndeshjeve të zhvilluara në kampionat deri më tash. Në xhiron e 31-të, që luhet këtë të shtunë, Ballkani e pret në shtëpi Prishtinën për të vazhduar pastaj me ndeshjen në udhëtim me Gjilanin, përpara se ta mbyllë edicionin si vendas përballë skuadrës së Dritës. Këto ndeshje edhe e përcaktojnë fatin e Ballkanit këtë edicion. Në fakt, Ballkani deri në fund të sezonit i katër finale - përfshirë këtu edhe finalen e Kupës së Kosovës që do të zhvillohet më 29 korrik. Në këtë finale, që është e para në historinë e klubit, Ballkani do të përballet me skuadrën e Prishtinës. Sezonin e ardhshëm, Kosova për herë të parë në garat evropiane do të përfaqësohet me tri ekipe: kampionin në Ligën e Kampionëve dhe nënkampionin e fituesin e Kupës në Ligën e Evropës. Në tri edicionet e fundit në garat evropiane, Kosova është përfaqësuar me vetëm dy ekipe, kurse deri më tani në Evropë kanë luajtur Trepça ’89, Drita, Feronikeli dhe Prishtina.